Si e ndiejmë erosin e Ricos!?
Në një cep gjenden tre gurë “të gjallë”. Stoikë në përmbajtjen e tyre, pavarësisht se mbartin fytyrat e tri grave të moshuara. Diku më tej, një engjëll që fluturon në hapësirë, duke u shkrirë me ca vargje që përçojnë jetë dhe optimizëm. Kjo është krijimtaria e poetit grek Janis Ricos, e parë në këndvështrimin e studentëve të Arteve Pamore në Akademinë e Arteve. Ata do të hapin një ekspozitë në FAF nën kujdesin e profesor Vladimir Myrtezait ku prezantojnë punët e tyre të frymëzuar nga krijimtaria e poetit grek Ricos
Poezia transformohet në performancë e kjo e fundit në pikturë, grafikë a në një lloj tjetër interpretimi. Menjëherë, pasi bëhesh pjesë e kësaj ndodhie, përshtypjet marrin një formë konkrete. Në një cep gjenden tre gurë “të gjallë”. Stoikë në përmbajtjen e tyre, pavarësisht se mbartin fytyrat e tri grave të moshuara. Diku më tej, një engjëll që fluturon në hapësirë, duke u shkrirë me ca vargje që përçojnë jetë dhe optimizëm.
Kjo është krijimtaria e poetit grek Janis Ricos, e parë në këndvështrimin e studentëve të Arteve Pamore në Akademinë e Arteve. Ata do të hapin një ekspozitë në FAF nën kujdesin e profesor Vladimir Myrtezait ku prezantojnë punët e tyre të frymëzuar nga krijimtaria e poetit grek Ricos. Të nxitur nga ndjeshmëria e poezive të tij, dhe mënyra e veçantë e pikturimit mbi gurë, studentët janë frymëzuar më tepër nga elementët simbolikë të krijimtarisë së Ricos.
Në këtë ekspozitë paraqiten poezitë e Ricos jo vetëm në vargje, por edhe të personifikuara në pikturë, video-projeksion, në guralecë të vegjël, grafikë e dizajno të ndryshme. Për këtë, vetë studentët shpjegojnë mënyrën e konceptimit të këtyre punëve, në trajta të veçanta. Një prej tyre, Donika Çina, ka mishëruar një poezi erotike të poetit grek Janis Ricos në një suitë të vogël në të kuq maxhor. Por jo vetëm, ajo e ka konceptuar në një dimension tjetër këtë poezi duke bërë edhe ndërhyrje subjektive. “Kam bërë një interpretim të kësaj krijimtarie, duke hequr veprimin. Kjo do të thotë se në të gjitha vargjet ku ka veprim, ku ka marrëdhënie midis njerëzve janë hequr dhe janë mbajtur vetëm ato pjesë ku ka objekte ose hapësirë. Pra, kam ndarë hapësirën nga veprimin. Duke qenë se marrëdhënia e një poeti midis objekteve jep të njëjtin emocion siç mund të japë veprimi përbën thelb e të gjithë krijimtarisë sime. Emocionet që të japin këto objekte në marrëdhënie me njëra-tjetrën janë të njëjta me emocionin që të jep edhe vetë veprimi”, - shprehet Donika, duke treguar arsyen e impresionit nga kjo poezi: “Më pëlqeu kjo poezi pasi bëhet një lloj paralelizmi midis marrëdhënies së njerëzve me ato të krijimit. Kjo më tërhoqi më tepër”. Ndërsa ndalemi në një video-animacion ku vazhdimisht shfaqet një engjëll duke fluturuar me një lulëkuqe, ndërsa përkthen edhe disa vargje të Ricos. Kjo është punë e studentes Sembie Gishto, e cila thotë se “çdo gjë vlerësohet në bazë të kohës në të cilën jetohet, e çuditshme është ajo çka ne përjetojmë edhe pas një periudhe shumë të gjatë. Shfaqja vizuale e ndjenjave më frikëson më tepër edhe pse këtë talent më ka dhënë gjithësia. Ankthi im është interpretimi i të huajve ndaj asaj që flas dhe përjetoj, optimizëm, histori, poetikë e të gjitha kujtimet përrallore që të jep fshehtësia e geneve. Në përjetim dhe përjetësi konceptesh më përçon Ricosi dhe poetika e tij”. Sipas studentes, engjëlli, lulëkuqja janë simbole që në thelb kanë shumë optimizëm. Poezia e këtij poeti e bën të ndjeshme ndërsa shprehet se “kur lexoj krijimtarinë e këtij poeti më kujtohet Greqia antike, legjendat, Olimpi, mitet apo Temida si kasneci i Zeusit”. Një tjetër punë titullohet “Daktile”. Është leximi i një poezie me anë të gjuhës së shenjave, pra komunikimi me shurdhmemecët në një video. Kjo punë është realizuar nga studentja e vitit IV në atelierin multimedial, Akademia e Arteve, Entela Hoxha. Mbi konceptimin e kësaj krijimtarie ajo thotë se “dihet që shenja përdoret nga shurdhmemecët për të komunikuar. Në video gjendet një vajzë që e interpreton poezinë e Ricos me anë të shenjave. Është pak a shumë si të krijosh një imazh ose vizatim në ajër nëpërmjet fjalëve që thotë Ricos në poezinë e tij. Duke u nisur nga pjesa figurative e tij kam dashur të interpretoj nëpërmjet shenjës. Shenja është diçka që lihet dhe që qëndron aty”. Ndërkohë që në hyrje të ekspozitës bie në sy edhe një video-projeksion mbi gur. Kështu e ka titulluar punën e saj studentja Elona Zaimi, e cila ka zgjedhur të hedhë frymëzimin e Ricos në tre gurë me fytyrat e tri grave të moshuara. Ky poet e shfrytëzonte gurin si objekt jashtë mase për krijimtarinë e tij, duke i dhënë jetë. Për këtë ajo shprehet: “Duke parë punën e tij u frymëzova dhe mora tre gurë, ku mbi to kam krijuar tri personazhe. Qëllimi im është të shndërroj këta gurë në tri personazhe kryesore që komunikojnë me njëra-tjetrën, duke i parë në një dimension tjetër, pra për t’i parë ato si personazhe të vërteta apo të përjetshme ashtu siç është edhe guri”. Ajo shton se guri si objekt është një element stoik, duke marr shkas edhe nga rëndësia e tij historike që në lashtësi. Por Elona thotë se këto objekte ajo o ka shfrytëzuar ndryshe nga poeti grek. “Moshat e vjetra në këto gur duken sikur ato bëhen të përjetshëm. Kjo është arsyeja që më shumë më tërhoqi vizatimi mbi gur”, - thotë studentja e Akademisë.
Në ekspozitë varen edhe krijimtari të grafikës, ku një prej tyre është e punuar me teknikën e zinkut. Titullohet “Interier”, ashtu si vetë poezia e Ricos, që përshkruan atmosferën e ambientit ku ka qëndruar ky poet, bazuar mbi poezitë e tij. studenti i akademisë së arteve, Hysen Vogli e shpjegon punën e tij duke thënë se “kam krijuar një ambient të zymtë, por pajiset edhe me një dritare që personifikon një rreze shprese. Pra është dhoma ku ai mendohet se ka jetuar. Në një tjetër tablo është hedhur e njëjta punë, por me ndryshimin e atmosferës së dritës, pasi kur shtypet luhet edhe me dritën. Në këtë rast, ka më shumë shpresë me tonalitetin e me ngjyrën. Pavarësisht se pamja duket e zymtë, ajo ka një dritë shprese, nga dritarja”. Në faqen tjetër të ekspozitës varet po ashtu edhe një pikturë e madhe, në të cilën përshkruhet jeta dhe vdekja. Studentja Pranvera Nuredini thotë: “Plani i parë i pikturës është mbajtur i zhurmshëm, për t’i dhënë më pas qetësinë atij momenti që ai përshkruan në poezinë e tij, pra dhimbjen, vdekjen. Përqendrohem edhe tek pjesa e jashtme, janë dy të kundërta që qëndrojnë bashkë. Është një mënyrë që më ka tërhequr për ta trajtuar, për mënyrën se si paraqiten jeta dhe vdekja në poezinë e Ricos”.
Puna e studentëve të Akademisë së Arteve është mbikëqyrur nga pedagogu i tyre Vladimir Myrtezai, i cili tregon se ka kjo ekspozitë e takon për herë të dytë me poetin Janis Ricos. “Një rikthim në shpatullat e historisë, ngulmoj të gjej, një poet, të cilin e ruaja xhepash dhe më ngrohte në dimër në një mënyrë njerëzore dhe për këtë ia vlen ta ripërtypësh sërish një kujtim që të linte pa gjumë dhe të bënte të projektoje një agim në errësirë. Sa më shpesh e risjell në kujtesë, po aq mendoj se e ringjall atë për të shpërndarë diell me fjalën e tij”, - shprehet artisti Myrtezai. Një tjetër motiv që ka shtyrë prezencën e tij në këtë ekspozitë është edhe fakti që Ricosi ishte piktor. Për këtë ai thotë: “Duke shfletuar dhe parë shenjat e tij vizive kupton që në një krijimtari do mund të shprehesh me të gjitha mënyrat duke i shfokusuar pjesët e zhanreve në forma të ndryshme prekjesh, si ide të drejtpërdrejta dhe si prekje materiesh që mbarsin fillin e një ideje në një formë të ndryshme. Një nga ngjizjet spektakolare të poetit është dhe natyra si një aleate e madhe në botën e pasurimit të fjalës, por po aq e madhe në mundësitë e shumta për të dhënë mesazhe nga brumi i territorit të artistit”. Ndërkohë që për të nderuar figurën e poetit në një ekspozitë kushtuar vetëm krijimtarisë së tij, tregon se ka shfrytëzuar konceptin e tij subjektiv duke ndërtuar një ndërhyrje arti. “Qëllimi im është ta rishohim figurën e tij në një dimension të ri, atë të rezonancës si rrethanë arti apo si një dialog i pandërprerë i një refreni kuptimplotë “që ne u lindëm për t’u takuar”, ë thotë ai. Poezi të përkthyera në shqip të poetit grek Janis Ricos janë “Mëhallat e botës”, “Epitaf”, “Traktori”, “Kënga e motrës sime”, “Simfonia e pranverës”, “Një mazurkë e vjetër nën ritmin e shiut”, “Ikonostasi i shenjtorëve anonimë” etj.