E Diel, 1 Nëntor 2026

Pandev në Inter

Pandev ka zhvilluar stërvitjen e parë me Interin

Ishte e ditur prej disa ditë më parë, por është bërë zyrtare të hënën: Goran Pandev është sulmues i Interit.

Ish ylli i Lazios ka përfunduar pa problem vizitat mjekësore dhe ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me kampionin e Italisë deri më 30 gusht 2014.

Pas finalizimit të marrëveshjes me Nerazzurrët, Pandev ka zhvilluar stërvitjen e parë në qendrën sportive Appiano Gentile, ku është njohur me bashkëlojtarët e tij të rinj.

Trajneri Jose Mourinho mund të llogarisë në reprezentuesin maqedonas, madje qysh në ndeshjen e radhës, të mërkurën kundër Chievos.

Inter ka njoftuar për transferimin e 26 vjeçarit, i cili kishte fituar betejën ligjore me Lazion dhe ishte i lirë të braktisë klubin nga kryeqyteti italian.

“Inter njofton për transferimin e Goran Pandevit. Me kënaqësi reciproke, futbollisti ka nënshkruar kontratë me klubin deri më 30 gusht 2014.

Pandev do të bartë fanellën me numër 27, ndërsa do të prezantohet gjatë një konference për shtyp pas ndeshjes Chievo-Inter më 6 janar 2010”, thuhet në komunikatën e Interit.

Ndërsa Pandev është shprehur i lumtur që ka nënshkruar për Interin.

Ai ka qenë pjesë e klubit milanez në vitin 2001, por nuk kishte bërë asnjë paraqitje dhe ishte huazuar në Spezia dhe Ancona, para se të transferohej në Lazio.

“Jam vërtet shumë i lumtur. Ëndrra ime gjithmonë ka qenë të mbetem në Inter, por gjërat shkuan ndryshe. Jam zhvilluar, jam futbollist tjetër, futbollist i vërtetë falë Lazios. Shpresoj të fitoj shumë me Interin”, tha ai. Është e mundshme që Pandev të luajë kundër Chievos, së paku për një pjesë të ndeshjes.

“Në këto ditët e fundit kam stërvitur në Maqedoni, ndërsa në muajt e kaluar kam punuar me Lazion. Jam në dispozicion të trajnerit. Ai do të vendosë, por jam i gatshëm dhe nuk kam probleme”, u shpreh ai.

Pandev shpreson të shënojë shumë gola me fanellën e Interit.

“Dua të shënoj shumë gola, por mbi të gjitha është me rëndësi të fitojmë Scudetton dhe të shkojmë larg në Ligën e Kampionëve. Inter është ekip i madh, grup i fuqishëm dhe për këtë arsye është duke fituar kaq shumë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›