Pane fiton tri çmime
Shoqata e manekineve “Freedom” nga Prizreni kishte organizuar një konkurs, me anë të të cilit Elva Pane (18), u zgjodh nga juria për ta përfaqësuar Kosovën në këtë ngjarje bukurie.
Menaxheri i kësaj shoqate, Shpejtim Zeneli ka thënë për Kosovapress, se Elva përfaqësoi denjësisht Kosovën në këtë ngjarje botërore të bukurisë, ku u kurorëzua me tre çmime.
“Kosova ka pasur përfaqësuesen e saj quhet Elva Pane, e cila ka përfaqësuar me dinjitet dhe me meritë ka fituar 3 tituj ku titulli më kryesor është që të jesh në top pesëshe, që të zgjidhet përcjellësja e katërt e misit, pastaj është zgjedhur mis fotogjeni dhe eventi tjetër që ka qenë brenda garës ka qenë përcjellësja e parë e Miss europian tourism”, ka potencuar Zeneli.
Elva Pane në këtë konkurs bukurie ka përfaqësuar Kosovën me flamurin e saj dhe sipas Zenelit ajo ishte në qendër të medieve botërore.
“Përpos asaj kjo ka shkëlqyer me flamurin e Republikës së Kosovës dhe ka qenë në qendër të medieve kineze si dhe atyre në Tajvan, sepse kjo gocë ka marrë pjesë nga data 5 gusht deri tani më datën 7 shtator që do të jetë atje, d.m.th ka fituar një eksperiencë të re në fushën e modës dhe të misit” ,ka thënë ai.
Në anën tjetër pjesëmarrja e Kosovës në këtë ngjarje Bukurie nuk ishte mirëpritur nga shteti serb, i cili e kishte bojkotuar atë.
“Serbia e ka bojkotuar këtë event bukurie dhe kjo ka qenë një tregim që edhe bukuroshja e Kosovës pa marrë parasysh çështjet politike në kulturë ka arritur sukses”, u shpreh ai.
Dihet se Kina ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe sipas Zenelit ky është një sinjal që Kina po e njeh shtetin më të ri në botë përmes kulturës.
Bukuroshja Elva Pane do të kthehet javën e ardhshme në Kosovë si triumfuese, ndërkohë që menaxheri Shpejtim Zeneli thotë se ajo tashmë ka marrë shumë oferta pune nga agjenci të huaja. (Kosovapress)