E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, zbardhet lista e përfituesve të rinj

05/09/2011   Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon 72 pensionet suplementare të pleqërisë e ato të parakohshme

Procedura që ndiqet për rishikimin e masës së pensionit të rillogaritur

Zgjerohet më tej lista e pensioneve për ish-ushtarakët. Instituti i Sigurimeve Shoqërore pas verifikimit të dhënave të dërguara nga institucionet përgjegjëse ka zbardhur përfitimet e radhës të rillogaritura për ish-ushtarakët. Në tabelën bashkangjitur shkrimit do të gjeni të plota 72 përfitimet e lidhura gjatë javës që lamë pas, klasifikuar sipas llojit të përfitimit. Burimet zyrtare të sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se duke nisur nga kjo javë procesi i llogaritjes do të ecë me ritme më të shpejta, çka nënkupton zgjerimin e listës së përfitimeve. Po nga këto burime bëhet me dije se kategoritë që janë njohur tashmë me përfitimet e caktuara nga sigurimet kanë të drejtë të ankohen, në rast se janë të pakënaqur me përfitimin e caktuar, duke depozituar ankesën përkatëse pranë strukturave përgjegjëse të ISSH-së. Në rast se nga verifikimet e mëpasshme të këtyre organeve jepet përgjigje negative me ankesën e ngritur nga aplikuesi, e vetmja zgjidhje mbetet paraqitja e çështjes pranë organeve gjyqësore. Megjithatë, e gjithë procedura varet nga dosjet me të dhënat që ministritë e linjës dërgojnë pranë sigurimeve shoqërore. Llogaritja e përfitimit varet nga të dhënat që institucionet përgjegjëse do të depozitojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Vetëm pas marrjes së këtyre të dhënave ISSH-ja mund të përcaktojë masën e pensionit të parakohshëm që do të shkojë për secilin aplikues. Në kërkesat e dërguara ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›