Paneli i BQK-së do të thyejë ligjin për t’ia lehtësuar punën Kuvendit

Procesi i emërimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës ka kaluar kufijtë ligjorë. Tash tetë ditë lista e kandidatëve për guvernator do të duhej të ishte në Kuvendin e Kosovës, përderisa një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Paneli për zbatimin e procesit për emërimin e guvernatorit të BQK-së ia lë fajin vonesave në shpalljen e konkursit për këtë post, përderisa vetë ata ishin që e shpallën konkursin. Kryetari i Bordit të BQK-së, Sejdi Rexhepi, njëherësh anëtar i panelit vlerësues, thotë se të martën lista do të jetë gati dhe shpreson se guvernatori i ri do të zgjidhet ende pa i përfunduar mandati guvernatorit të tanishëm, transmeton Koha.
“Kemi pasur një fat që lista ka qenë me një numër të vogël dhe kështu në aspektin kohor ne kemi arritur të mbërrijmë që procesin e emërimit të guvernatorit të ri ta bëjmë para se të skadojë mandati i guvernatorit të tanishëm. Nesër do të ulemi si panel dhe do të bëjmë poentimin e kandidatëve dhe listën në mënyrë të argumentuar do ta dorëzojmë në Kuvend dhe Qeveri”, tha Rexhepi./Indeksonline/