Panik në shkolla për shkak të gripit, nxënësit braktisin mësimin
Emanuela Sako
Nxënësit në panik për shkak të përhapjes së gripit të derrit, vendosin të braktisin mësimin përkohësisht. Pas konfirmimit të ekzistencës së virusit në formë grupimi në shkolla prindërit nuk kanë ngurruar të marrin masa personale, duke larguar fëmijët nga shkollat. Kjo situatë vihet re sidomos në shkolla fillore e 9-vjeçare. ISHP-ja ka bërë publike se 3-a ditët e fundit mungesat në të gjitha shkollat janë theksuar dukshëm dhe arsyeja është paniku nga virusi gripal për shkak të rëndimit të situatës gjatë orëve të fundit. Duket se situata po alarmohet së tepërmi, pasi çdo ditë e më tepër po shtohen raste të personave të prekur me virus. Aktualisht, janë rreth 76 persona që janë konfirmuar si mbartës së virusit AH1N1. Ndërkohë që po kryhen ekzaminime për persona të tjerë.
Rastet
Ministria e Shëndetësisë nuk ka konfirmuar ende ndonjë nismë për mbylljen e ndonjë shkolle për shkak të virusit. Por, në rrethin e Matit, në Klos, 199 nxënës kanë munguar gjatë orëve të mësimit. Përkatësisht 155 nxënës në shkollën 9-vjeçare “ Tahir Hoxha” dhe 37 nxënës në shkollën e mesme ” Shaban Çollaku”. Situata ka filluar të ndihet edhe në kryeqytet, ku mungesa e nxënësve është motivuar me panikun e përhapjes së virusit. Ndërkohë që Spitali Infektiv dhe poliklinikat kanë rritur më tepër marrjen e mostrave të qytetarëve që janë paraqitur me simptomat e virusit të gripit të derrit, i cili është vështirë të dallohet nga gripi i zakonshëm. Menjëherë pas funksionimit të Laboratorit të Virologjisë në ISHP, janë konfirmuar më tepër raste se më parë. Kjo do të thotë se virusi i gripit të derrit ka qenë prezent, por kanë munguar masat e marra ndaj tij dhe kryerja e ekzaminimeve në kohë.
Rastet
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se ende nuk mund të flitet për masa të tilla, si pezullimi i mësimit në shkolla, por ato do të jenën nën monitorim të vazhdueshëm të specialistëve. Drejtori i ISHP thotë se situata epidemiologjike në vend shënon dhe raste në rritje të gripit të zakonshëm. Ai shprehet se jemi larg epidemisë, por të gjithë qytetarët duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip e cila është në treg. Vaksina e gripit sezonal është mjeti më i mirë, më kost-efektiv dhe më efikas për të parandaluar gripin sezonal. OBSH-ja këshillon me forcë përdorimin e saj për një sërë grupesh që konsiderohen në risk, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, të moshuarit apo dhe personat mbi 55 vjeç si dhe një grup personash që kujdesen për personat me risk të lartë siç mund të jenë mjekët ose prindërit e fëmijëve të vegjël. Aktualisht numri i mostrave të mbledhura nga ISHP-ja ka shkuar në 1100, të cilat po shtohen çdo ditë e më tepër. Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që spitalet të rrisin masën e kontrolleve dhe të mos neglizhojnë asnjë rast të dyshuar, pasi ai mund të bëhet objekt për përhapje më të shpejtë të virusit në komunitet. Veç rritjes së vigjilencës brenda sistemit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm me Ministritë e tjera me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në mjediset e shkollave, vendet e punës, mjetet e transportit publik, repartet ushtarake, dhe institucionet sociale e kulturore. Specialistët e shëndetësisë pranojnë se vendi ynë është në prag epidemie përsa i përket përhapjes së virusit të gripit. Ata bëjnë të ditur se janë rreth 11 mijë persona në gjithë vendin janë prekur nga gripi vetëm gjatë javës së shkuar. Kjo shifër është konsideruar tepër e lartë për numër popullsie, çka krijon panik për zhvillimin e mëtejshëm të situatës. Specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit AH1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar rrezikshmërinë dhe numrin e personave të prekur. Shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator.
14 Nentor 2009