E Diel, 1 Nëntor 2026

Lukes: “Unë shqiptarja që kandidoj në SHBA”

Intervistë me rikandidaten për kryetare Bashkie në Worcester, qytet në Masaçusets, Konstantina B. Lukes

Ardian Murraj

Zgjedhjet për kreun e Bashkisë së qytetit të Usterit në Masaçusets kanë hyrë në prag të ditës së votimeve. Bashkësia shqiptaro amerikane e emigrantëve përbën rreth 10% të popullatës qytetase prej mëse 175 mijë banorëve, mes të cilëve një pjesë e mirë janë qytetarë amerikane dhe kanë të drejtën e votës. Veç kësaj, kryetarja e Bashkisë së Usterit, zonja Konstantina B. Lukes, është me origjinë shqiptare. Në zyrën e saj, krahas simboleve shtetërore të SHBA-ve, gjendet dhe një flamur tavoline që i përket origjinës së saj shqiptare. Një ditë para se votuesit në këtë bashki t'u drejtohen qendrave të votimit, pasi do të zhvillohen zgjedhjet, gazetari Ardian Murraj, për një njohje më shumë me zonjën Luks, kandidaten potenciale, mundësoi këtë intervistë:

Zonja kryetare. Gjatë një interviste më parë ju pohuat se përsëri do të kandidoni për këtë post. Jemi vetëm pak ditë para votimeve, pra si ndjeheni?

Ky është një moment i vështirë, pasi janë edhe tre kandidatë të tjerë, pra janë katër gjithsej këtë radhë që synojnë postin e kreut të Bashkisë. Të gjithë janë duke punuar shumë dhe kjo për votuesit do të thotë se ata duhet të japin votën e tyre për kandidatin që mendojnë, kjo edhe sepse ne në Uster kemi edhe dukurinë e kryesimit me pak pikë. Pra kemi më shumë konkurrues dhe tjetra diferencat e ngushta; këto janë dy çështje që e bëjnë të domosdoshme pjesëmarrjen e gjerë në votime dhe rëndësinë e procesit të votimit. Fituesi do të jetë me diferencë të vogël, por edhe në rastin e një barazimi, kjo na shpie në rinumërime apo raund tjetër, çka na bën që të shpenzojmë më shumë. Për këtë arsye unë vetë i inkurajoj që të gjithë qytetarët votues që të marrin pjesë dhe të japin votën e vlefshme të tyre dhe sigurisht ata që janë për zgjedhjen time të jenë në qendrat e votimit. Madje edhe ata që munden le të shprehin mbështetjen time me tabelat ku përkatësisht shkruhen emrat e kandidateve. Me sa di, jashtë çdo qendre lejohet prania e 20 apo 30 vetave që mbajnë tabelat për simpatizantët e tyre. Kjo bën që edhe atë ditë njerëzit të ndërgjegjësohen e të përfshihen në çështjen e rëndësishme të votimit. Kjo reklamë është pjesë e fushatës zgjedhore. Unë, për mbështetjen që marr, i ftoj votuesit dhe simpatizantët e mi menjëherë, pasi qendrat mbyllen në një nga restorantet modeste të Usterit, “Conney Island”, ku shërbehen ushqime të çastit dhe deri në pritjen përfundimtare të rezultatit njerëzit gëzojnë dhe shuajnë kuriozitetin. Me sa di, gati prej 50 vitesh kjo mënyrë festive e shoqëron ditën e zgjedhjeve këtu te ne...

Me sa duket ngjan gati si të ishte një veprimtari sportive?

Po, vërtet, disa herë ajo është e tillë.

Shpresojmë që të keni sukses.

Faleminderit! Por edhe unë shpresoj t’ju shoh edhe juve atje.

Faleminderit për këtë ftesë tuajën... Cilat janë arritjet tuaja gjatë këtyre dy viteve të drejtimit?

Si kryetare e Bashkisë unë drejtoj Këshillin Bashkiak dhe Komitetin e Shkollës. Duke dashur të përmend disa gjëra të rëndësishme unë po ju sjell rastin e zgjedhjes në detyrë të superintendentit të shkollave të Usterit, pasi më i hershmi e liroi vendin pasi doli në pension. Ne kemi në Komitetin e Shkollave rreth 300 punonjës ose pak më shumë se dyfishin e punonjësve të Bashkisë, bile kanë edhe më shumë fonde për të shpenzuar edhe sesa vetë ne të Bashkisë së qytetit. Ne kemi 22-23 mijë nxënës në shkollat publike. Shkollat publike në Uster janë shumë të mira, dhe kjo i bën njerëzit që të zgjedhin Usterin si një qytet për të jetuar në dobi të edukimit arsimor. Nga ana tjetër, shumë veprimtari biznesi e synojnë qytetin pasi fuqia punëtore ka nivel të mirë kualifikimi dhe trajnimi. Përsa i përket procesit të zgjedhjes së SI, këtë radhë kjo u realizua duke marrë një person jashtë sistemit të shkollave. Zgjedhja e bërë s’kishte ndodhur që prej 40 viteve dhe kur ky fakt u krye, u kuptua se ishte një ndryshim shumë i madh. Ishte një ndryshim i mirë njëkohësisht, pasi u zgjodh një grua, një zonjë afro-amerikane me shumë dhunti dhe në krye të drejtimit të sistemit tonë shkollor. Unë jam krenare për këtë. Ndërsa përsa i përket Bashkisë, ne kemi pasur shumë përpjekje për reformën në shëndetësi dhe kemi qenë në gjendje të sigurojmë shumicën e votave të Këshillit mbi pagesën personale dhe sigurimet shëndetësore. Kjo duket pak e vogël, por i kushtoi kursimeve një vlere prej 15 milionë dollarësh. Kjo bëri të mundur që të mbuloheshin shpenzimet për policinë, zjarrfikëset dhe administratën apo rreth 230 vendeve vakante. Me gjithë vështirësitë që kemi ndeshur vlen të theksoj se kemi pasur gjatë dy viteve rreth 9000 leje ndërtimi ose një vlerë prej gati 1 miliard dollarësh, ne kemi parë dhe dy investitorë të tjerë që ndihmuan në rikonstruksionin e teatrit “Hanuver” dhe kur ata kishin mbetur në vështirësinë e një pjese finale të fondeve me vlerë prej 3 milionë dollarësh, duke kërkuar ndihmën e Bashkisë kjo u mundësua në lehtësimin e taksave. Ata e kryen këtë sipërmarrje vetë dhe ne kemi tani një qendër të re arti për qytetin, ku luajnë trupa artistike me zë nga e gjithë bota. Njëkohësisht kjo qënder, në vitet e fundit është një institucion tërheqës edhe për ata që e shijojnë artin dhe duan ta vizitojnë Usterin. Po kështu edhe 75 biznese të reja kanë gjallëruar veprimtarinë e tyre në këtë periudhë. Ajo që ne kemi bërë deri tani është se kemi krijuar kushtet e thithjes së investimeve dhe zhvillimit të biznesit. Ka njerëz që nuk arrijnë ta kapin menjëherë vlerën e përfitimeve. P.sh. pak kohë më parë ne organizuam një veprimtari ku vetë bizneset ftuan kompani të tjera këtu për të parë mundësitë dhe kushtet e mira të investimeve. Kjo mundësoi një ringritje edhe pse vendi ka përjetuar periudhën më të vështirë që prej Depresionit të Madh. Usteri ka mundur të mbahet fort me përpjekjet e veta dhe të mund t’u bëjë ballë këtyre vështirësive. Për këtë unë ndjehem vërtet krenare gjatë viteve në detyrën time.

Kam dëgjuar shpesh mes shqiptarëve emigrantë, qytetarë amerikanë, se ata sërish do ta japin votën për juve. Si qëndron kjo lidhje dhe mbështetje mes jush?

Po, e dua ta kem mbështetjen e tyre. Unë jam krenare për origjinën time shqiptare. Të dy prindërit e mi lindën në Gjirokastër dhe kur erdhën këtu nuk kishin shkollimin e mjaftueshëm, por ishin shumë punëtorë dhe ata u mundësuan fëmijëve të tyre të studiojnë. Këtë temë ne e kemi diskutuar më parë. Të punosh shumë dhe të studiosh shumë kjo është një nga rrugët për të qene një amerikan i mirë dhe unë personalisht i mbështes që të gjithë ata që vijnë këtu për ta arritur këtë ëndërr. Shqiptarët janë shumë punëtorë dhe fëmijët e tyre i shpien në shkolla publike dhe kolegje. Unë pres se dhjetë-njëzet vite më pas ndonjëri prej tyre do të jetë në këtë vend si unë dhe përsëri të mund të tregojnë se ata janë krenarë si shqiptarë dhe po kështu të ndikojnë te të tjerët për të arritur ëndrrat e suksesshme.

Keni pasur mjaft veprimtari të përbashkëta përkujtimore dhe festive si bashkatdhetarë shqiptarë. Si i keni përcjellë ato?

Oh! Janë shumë... Kudo ku jam ftuar, unë shkoj dhe ndjehem shumë mirë. Mund të përmend veprimtaritë e kishës shqiptare prej disa dhjetëvjeçarëve, konventën e gushtit të SHKSHA (Shoqatës Kombëtare Shqiptaro Amerikane) që dy vite më vonë do ta zhvillojë veprimtarinë e saj në Tiranë, çelja e shkollës shqipe në fillim të tetorit pranë “Elm Park”, festivali, festa e flamurit etj. Të gjitha këto na njohin dhe na lidhin më shumë përmes vlerave. Unë mundohem qe t’i jap kurajë cilitdo për t’u përfaqësuar në bordet dhe këshillat e ndryshme të qytetit, pasi aty përfaqësohet një zë dhe një mendim i ri në dobi të arritjeve më të mira për qytetin.

Si e shihni Usterin si një qytet në rritje lidhur me prurjet që sjellin te ky qytet grupet e ndryshme etnike?

Usteri është një qytet i emigrantëve. Fliten, siç e kemi përmendur, mbi 80 gjuhë dhe janë rreth 120 bashkësi të ndryshme etnike. Javën e kaluar mora pjesë mes një grupi prej 40 familjesh refugjate nga Bhutani të dëbuar nga gjenocidi i regjimit të vet vendit të tyre. Kjo më rikujtoi dhe rininë time, kohën kur Shqipëria i mbylli kufijtë. Bile, kumbari im, që kishte shkuar për të vizituar të afërmit pasi u spiunua se kishte ndërmend të kthehej në Amerikë, u burgos me 15 vjet nga regjimi. Unë mbaj mend se edhe letërkëmbimet vonoheshin ose censuroheshin. Madje mamaja ime mori vesh për vdekjen e nënës së saj disa muaj më vonë... Pra kjo lloj shtypje është ajo që mua më ka nxitur më shumë për ndjenjën e lirisë për vete si dhe ta ushqej te të tjerët, është vlera e asaj që gjithnjë Amerika e ka ofruar dhe për këtë ne i jemi mirënjohës.

Si e prisni rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe çfarë do të jetë e re për kryetarin dhe qytetarët?

Di që këto zgjedhje janë të vështira. Prej raportit të guvernatorit në dimë se kemi një prapambetje në fondet shtetërore prej 600 mil dollarësh dhe ne si qytet kemi 2 milionë dollarë deficit. Pra ne do të shohim se unionet e punonjësve do të shtojnë përpjekjet për çdo qindarkë në mbrojtje të interesave të anëtarëve të tyre. Ne shohim se nuk ka shumë vend për kufizime. Patjetër ca gjëra duhen bërë në mënyre që të mos kërcënohemi me falimentim. Çështjet janë të ndërlikuara, por duhen sqaruar dhe bërë të kuptueshme për njerëzit dhe më e rëndësishmja është se ata duhet të votojnë për atë kandidat tek i cili besojnë se do të shohin zgjidhjet më të drejta.

A mendoni se ka një rrugëdalje nga ky presion? Pra ju vetë të prisni rezultate më të mira pas kësaj?

Këto zgjedhje janë tepër të ngushta dhe tani për tani nuk kam ndonjë parashikim. E gjitha që dua të them është se njerëzit, pa përjashtim, duhet të votojnë. Kjo do ta sjellë ndryshimin. Ata që e kanë këtë të drejtë si zgjedhës duhet ta ushtrojnë votën.

Ju uroj sukses dhe ju faleminderit!

Marrë nga “Bota sot”

Intervistoje

-

Ajo bëhet gruaja e dytë në 159 vjet që mban një post të tillë
Prindërit e saj janë shqiptarë, ndërsa ajo është kryebashkiake e Ëorcester, qytet në Masacusets, SHBA. Konstantina Lukes, 61 vjece, që prej 13 janarit 2007 është zgjedhur në krye të këshillit bashkiak të këtij qyteti, duke u bërë e dyta grua që mban një post të tillë në historinë 159-vjecare të qytetit. Ka lindur ne SHBA, ndërsa prindërit e saj, në Shqipëri. Ata janë arratisur prej vendit gjatë kohës së diktaturës. Për këtë arsye gjatë qeverisjes së saj ajo këmbengul të nxisë cdo lloj debati që ka të bëjë me dyshimet ndaj mënyrës së drejtimit të keshillit bashkiak. E gjithashtu, në mendjen e saj ka gjithnjë vend për të huajt, sepse “jam etiketuar dhe une si e tillë dikur”.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›