Specialistët: ”Mjekët të përdorin Tamiflunë për të parandaluar virusin”
Specialistët e shëndetësisë këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflunë në të gjitha rastet e kërkuara. Sipas tyre, mjekët janë një nga kategoritë më të rrezikuara, të cilët presin çdo ditë persona të prekur nga virusi. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal. Ndërkohë që një ndihmë e madhe për qytetarët duket se do të jetë dhe kryerja e analizave në një kohë rekord, në laboratorin e ri të ISHP-së që u përurua tre ditë më parë. Tashmë nuk do të ketë më pritje të gjata dy apo tre- javore nga Rumani, por përgjigjet do të dalin brenda ditës. Në kushte normale, laboratori mund të analizojë 21 mostra në ditë, ndërsa në rastet e emergjencës mund të kryhen 100 analiza. Personat që do të marrin vaksinën kundër gripit të derrit janë të gjithë ata që bëjnë pjesë në kategoritë emergjente. Në këto kategori bëjnë pjesë gratë shtatzëna, invalidët, personeli shëndetësor që ka kontakt me të sëmurët etj.
Nis fushata “Dhuro për jetën”, Liri Berisha dhuron gjak
Fondacioni Fëmijët Shqiptar ka promovuar dje fushatën “Dhuro për Jetën” për dhurimin vullnetar të gjakut. Në shenjë solidariteti me këtë nismë, presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar Liri Berisha ka dhuruar gjak dhe ka vijuar me dhurimin vullnetar të gjakut nga bashkëpunëtorët e këtij fondacioni. Në një komunikim me mediat, Liri Berisha, zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia ka vlerësuar nismën, ndërsa kanë bërë thirrje për sensibilizim të gjithë shoqërisë shqiptare. “Të dhurosh gjak do të thotë të dhurosh jetë, do të thotë të ngjallësh shpresë tek ata që po e humbasin shpresën. Gjaku është shumë i domosdoshëm veçanërisht për ata fëmijë që mbijetojnë duke marrë transfuzion gjaku çdo ditë. Duhet të bëjmë thirrje për të gjithë shoqërinë, të tregojmë vlerat tona,zemërgjerësinë tonë, të dhurojmë gjak si qytetarë, si njerëz”,- u shpreh Berisha. Fushata sensibilizuese “Dhuro për Jetën” për dhurimin vullnetar të gjakut do të vazhdojë deri më 8 maj, në ditën e talasemisë. Furnizimi me gjak në vendin tonë është në nivelin 7 dhurues për 1 mijë banorë, ndërsa duhet të ishte 40 dhurime për 1 mijë banorë. Nga raporti i krijuar duket se kjo diferencë është tepër e vështirë për t’u thyer. Ndërkohë që pacientët në spitale po vuajnë pasojat e mungesës dhe janë në rrezik për jetën. i vetmi lehtësim për ta, është se së fundmi qeveria miratoi ligjin për mospagimin e gjakut. Kështu, pacientët nuk do të paguajnë për përpunimin e gjakut që duhet të marrin për të kuruar sëmundjet. Qeveria vendosi të bëjë këtë ndryshim në ligjin “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, pasi pacientët që marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet. Në bazë të ligjit gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi. Prandaj shpenzimet për procedurat e kontrollit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së gjakut e të përbërësve të tij, në asnjë rast, nuk përballohen nga pacienti. Këto shpenzime i mbulohen Shërbimit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut nga institucionet shëndetësore, që e përfitojnë këtë shërbim.
14 Nentor 2009