E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paniku i Edvinit detyron ylberistët të krijojnë celula grash, kundër LSI-së

Frika nga dështimi i manifestimit të turpshëm të së dielës ka detyruar Edvinin dhe Erion Velinë të përgatisin ekipe militantësh, të cilët po torturojnë qytetarët me lutjet për të dalë në shesh ditën e diel. Më militantet janë disa celula grash, të cilat udhëhiqen nga Erion Veliaj dhe Besnik Bare, por ende s’ka siguri se si do të garantohet epërsia e mitingut të tyre, përballë flamujve të rivalëve politikë të Ilir Metës

TIRANE - Nuk është dashur shumë kohë për të zbuluar se cili është roli i vërtetë i “vullnetarëve” të bashkimit të ri për ndryshim, që u mblodhën gjatë javëve te fundit anekënd Shqipërisë. Ata që menduan se me rreshtimin kah politika e re fillonte një epokë e re në jetën e tyre, ajo e angazhimit të tyre në strukturat vendimmarrëse të Partisë Socialiste, do të duhet që të kënaqen me shumë më pak. Përgatitjet për tubimin e 15 marsit i kanë vendosur qindra të rinj në rolin e agjitatorit politik të lagjes apo rrugicës ku banojnë në lidhje me promovimin e politikës së re që pretendohet se do i ndryshojë faqen këtij vendi.
Nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama këta vullnetarë kanë nisur prej ditësh në rrugicat e bllokut “Ali Demi”, turin e lajmërimit, për ta vazhduar derë më derë në Tiranë, për pjesëmarrje në manifestimin e së dielës pasdite në Tiranë në kuadër të 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit.
Ndërkohë, krahas “vullnetarëve” që lëvizin me këmbë rrugëve, rrugicave e dyerve të apartamenteve të Tiranës, një kamion me disa bokse të mëdhenj në karrocerinë e tij, endet përgjatë gjithë ditës nëpër lagjet e Tiranës, duke amplifikuar “ftesën” për pjesëmarrje në pelegrinazhin e së dielës të pjesës së opozitës të drejtuar nga Edi Rama.
Ndërsa Edi Rama, i cili te dështimi i protestës të së dielës, sheh dështimin e tij personal, nuk resht ta etiketojë këtë protestë të 15 marsit, të atyre që “ndjejnë nevojën se ky realitet duhet të ndryshojë”, ai nuk ka mohuar se puna e vullnetarëve është për të sensibilizuar të gjithë banorët e saj për të qenë të pranishëm me zërin e tyre në manifestim. E megjithatë ndonëse, përfshirja e “vullnetarëve” paraqitet si “risi” absolute e selisë ylberiste, agjitacioni derë me derë i të rinjve të “politikës së re”, kjo metodë sovjetike e të bërit politikë përveçse nuk ka të bëjë në realitet me asgjë të re, demonstron qartë frikën e dështimit të këtij të bujshëm të këtij evenimenti, i cili që në start është i rrezikuar prej LSI-së dhe koalicionit të saj, të cilët do të organizojnë një tubim paralel po atë ditë në kryeqytet, por thuhet edhe në Gërdec. Edhe Ilir Meta logjikisht do të donte që të kishte sa më parë shumë njerëz në këtë tubim dhe kjo është logjike për çdo forcë opozitare.
Edi Rama, i cili në mitingun e së dielës, duhet të përballojë mospjesëmarrjen dhe indiferencën e qytetarëve të Tiranës, nga njëra anë dhe protestën paralele të paralajmëruar nga kreu i LSI-së dhe aleatëve të kësaj partie, nga ana tjetër, nuk po resht këto ditë, në kushtet e indiferencës së Skënder Gjinushit, për çështje xhelozie të keqpërdorurin e përhershëm Erjon Veliajn.
Brenda këtij misioni të tij, kreu i “G 99”-s Erjon Veliaj, ka bërë detyrën e tij dje, sërish duke derdhur vrerin ndaj kundërshtarit të Edi Ramës në të majtë, Ilir Meta. I pyetur nga gazetarët dje gjatë vizitës së tij në familjet e viktimave të Gërdecit, mbi dy protestat e ndara të thirrura nga PS dhe LSI, Veliaj tha se kjo “është një shenjë dëshpërimi”.
Frika se mos Ilir Meta e vijon përplasjen e tij në të gjitha sheshet e axhendës së Edvinit, pra edhe tek krateri i Gërdecit e ka shtuar së tepërmi alarmin e Edvinit. Ai s’po di se si të garantohet se të paktën kraterin nuk do t’ia pushtojnë, me njerëz, me flamuj apo me protestues të pavarur, prandaj edhe ka dërguar kasnecë legalë e ilegalë për të mbajtur të pushtuar fshatin e goditur nga fatkeqësia 15 marsin e shkuar, të paktën për dy ditë me radhë. Këto qendrime sektare rrezikojnë që të sjellin në vëmendjen e të gjithëve përplasjes guerrile mes grupeve nekrofile të opozitës. Vjet u përsërit e njëjta skenë dhe tani duket se Edi Rama ka vendosur të luftojë, pra së paku të mos e lëshojë kraterin pa përplasje.
Nuk merret vesh roli që do luajnë gratë socialiste, si Mrika, Ledi apo Valentina e rinuar, por paqartësitë nuk mbarojnë me kaq. Në llogoren e luftimit ende s’është vendosur as roli që do të luajë Besnik Bare, i cili lart e poshtë nëpër korridore thotë se ndihet i fortë e vende-vende edhe mund të përballojë furinë e armikut.
Paniku është kryefjala e ditës në selinë e PS-së, fjalë që po binjakëzohet me LSI-në dhe 15 marsi pritet të shndërrohet në Gërdecin politik të së majtës, pra jo në protestën që kërkon drejtësi, por në banketin e shpifur të interesaxhinjve që kërkojnë të bëjnë politikë me viktimat, duke lënë në fushën e kraterit edhe disa viktima të tjera politike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›