E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hienat e Edvinit pushtojnë kraterin e Gërdecit – familjet e viktimave detyron të afrojnë përkujtimoren me 14 mars

P.S - Aman, veç të mos mbesin në fushën e betejës Edi Rama dhe Besnik Bare, se kështu edhe morti s’do të kishte hijen e duhur

Etja e së majtës për të konsumuar me çdo kusht nekropolitikë po regjistron kulme të frikshme me afrimin e 15 marsit. Kështu, njerëzit e Edvinit janë mobilizuar që të mbajnë nën kontroll kraterin e shpërthimit të Gërdecit, nga frika se mos militantët e LSI-së tregohen edhe më militantë dhe ua marrin protagonizmin, ashtu siç ndodhi në “marshimin e heshtur”, të vitit të shkuar, kur do propagandohej vrasja e pandodhur e të ndjerit Kosta Trebicka. Vullnetarët e Edvinit janë shpërndarë në fshatrat Gërdec, Marqinet e “Marqinet 2” dhe po nisin të bëjnë planet se si do të përdoret imazhi i familjeve të viktimave të tragjedisë së 15 marsit për motive të mirëfillta politike. Përpjekjet e familjarëve për të mos u përfshirë, apo edhe deklaratat e tyre se s’janë të interesuar të marrin pjesë në manifestime të tilla politike si ky i Partisë Socialiste apo si paralelet e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë sjellë një situatë të rëndë në fshat. Kështu, një përfaqësi e familjeve të viktimave ka qenë e detyruar të qëmtojë zgjidhje alternative e të pavarura për përkujtimoren e tyre, e cila kërkohet të jetë diskrete dhe larg syve të politikës e të mediave. Mësohet se familjet e viktimave e kanë njoftuar zyrtarisht koalicionin e hienave që kërkojnë të përfitojnë politikisht nga tragjedia, që t’i lënë të qetë e t’i rrinë larg fshatit të kujtimeve të hidhura. Refuzimi i prerë i nekropolitikës ka sjellë atëhere vendimin ekstrem dhe banorët e Gërdecit, Marqinetit e “Marqinet 2”-it janë detyruar të thërrasin një përkujtimore për me 14 mars, një ditë përpara sesa hienat e Edvinit të zbresin në fshat për prenë e tyre politike. Do të jetë kjo përkujtimore ajo e vërtete, ajo e ndjera, ku familjarët do të shkëmbejnë brengat e tyre për tragjedinë që u mori njerëzit më të dashur. Ajo e 15 marsit do të jetë vetëm një manifestim hienash, i cili veç sa do na konfirmojë për të disatën herë, se njerëzit e Edvinit s’kanë din e iman, s’respektojnë dhimbjen e askujt e kërkojnë të bëjnë festë e të përfitojnë mbi fatkeqësitë e të tjerëve. Të paktën, familjet e Gërdecit e gjetën një artificë, duke afruar me një ditë përkujtimoren e dhimbjes së tyre. Po ashtu, edhe zgjedhësit me 28 qershor, do të dinë të zgjedhin alternativën që do t’i lërë sa më lart hienat nga banketet që mund të prishin ditët e të gjithë shqiptarëve.
Ilir Nikolla

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›