E Diel, 1 Nëntor 2026

Pano: Në Tiranë ndotja është 14 herë mbi normat e lejuara

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës nga Partia Demokratike, Jonathan Pano, tha sot se kryeqyteti po përballet me nivele të larta ndotjeje dhe përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së jetës.

Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Pano u shpreh se prej vitesh opozita ka denoncuar betonizimin, trafikun e rënduar, mungesën e transportit publik dhe rritjen e ndotjes së ajrit në Tiranë.

“Në dokumentin e vet zyrtar, Bashkia pranon nivele alarmante të PM10, PM2.5 dhe plumbit në pika kyçe të qytetit. PM10 është pluhuri i imët që qytetarët e thithin çdo ditë nga trafiku, nga rrugët e bllokuara, nga kantieret, nga ndërtimet dhe nga qyteti i kthyer në një kantier të pafund”, u shpreh ai.

“Pastaj kemi PM2.5, grimcat edhe më të rrezikshme. Ato janë aq të imëta sa futen thellë në mushkëri dhe lidhen me probleme serioze të frymëmarrjes dhe të zemrës. Sipas të njëjtit dokument, në pika kyçe të Tiranës, PM2.5 arrin 70.7 mikrogramë për metër kub. Norma vjetore është 5 mikrogramë për metër kub. Pra, PM2.5 del 14 herë mbi normë”, tha Pano.

Sipas tij, këto elementë përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik, veçanërisht për fëmijët dhe personat me probleme respiratore.

“Kjo nuk është më thjesht ndotje, por kërcënim për shëndetin publik. Eshtë kambanë alarmi për çdo prind në Tiranë”, tha ai.

Pano kërkoi që të merren masa urgjente, përfshirë monitorim të përditshëm të cilësisë së ajrit, kontroll të kantierëve të ndërtimit, hetim për burimet e ndotjes me plumb, si dhe një plan emergjent për trafikun dhe transportin publik në kryeqytet.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›