E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pano Taçi, poeti që mbeti dy ditë në morg

Oliverta Lila

Shuhet në moshën 84-vjeçare poeti që nuk njohu kurrë kufizime. Jeta e tij ishte një kalvar i gjatë vuajtjesh, por në vetvete mbeti një personazh i papërsëritshëm. I burgosur, i internuar, por i lirë. Sot i bëhen homazhe në Teatrin Kombëtar dhe përcillet në banesën e fundit

Oliverta Lila

Pano Taci

Pano Taçi ka mbyllur sytë. Atyre që ky emër nuk u tingëllon i njohur mund ta cilësojnë shumëçka: poeti, bohemi, kapriçiozi, mendja e lirë, pasionanti, dashnori… U shua në spital pas një sëmundje të rëndë në moshën 84-vjeçare. Në tavolina miqsh, shpenguar thoshte se vdekja sguxonte ti afrohej. Pastaj qeshte… Ulej me miqtë të rrufiste kafenë, të kthente ndonjë gotë raki e të shfryhej, për të dyja jetët. Atë para dhe pas viteve 90. Këta miq i janë gjetur edhe në momentet e fundit. Eva, e bija e Jorgo Bllacit dhe Orgesi, djali i Xhevahir Spahiut, mikut të vjetër, kanë qenë dëshmitarë të dhimbjes së fundit të poetit. Në fakt, edhe fundi për të nuk ka qenë i zakonshëm. Ashtu me miq, por edhe vetmitar, trupi i tij është prehur për dy ditë në morg. Nuk pati një çati të përhershme mbi krye dhe vitet e fundit i kaloi as më pak e as më shumë se në kasollet pranë romëve në Bregun e Lumit. Mësohet se djali i vetëm i tij, lindur nga një martesë e viteve 60 që nuk zgjati shumë, ka udhëtuar nga Greqia për ti qenë pranë në këtë ditë të fundit, ndërkohë që edhe mbesa ka ardhur nga Italia para dy ditësh. Pano Taçi ishte poet. Poet i lindur! Kështu e quante Xhevahir Spahiu para se vetë të dënohej me mungesën e fjalës. Të paktën një nder institucional do ti bëhet në mbyllje të jetës plot tallaze. Ministria e Kulturës organizon sot, në orën 10:00-11:00 homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar dhe do të marrë përsipër edhe varrimin. Jeta e tij ishte më shumë se e trazuar. Burgime, internime, i akuzuar për dashuri borgjeze në vitin 1947, e më vonë edhe për propagandë e agjitacion. U lirua e u burgos disa herë. Me gjuhën e tij thoshte se kishte qenë i praptë, hokatar. Por kishte jetuar i lirë. Pa rregulla. Ashtu ishin edhe vargjet e tij. I vogël fare kishte njohur Gjergj Fishtën, e kur ishte 13 vjeç pati fatin të miqësohej me lirikun e madh, Lasgush Poradeci. Vetë ai i botoi djaloshit poezitë e para. Pano Taçi provoi edhe luftën. Unë kam qenë partizan. Kam luftuar me Brigadën 23, me komandat Hamit Keçin dhe komisar Xhavit Qesen. Të dy i futën në burg më vonë, thoshte ai. Në fillim e kishin përjashtuar nga shkolla, sepse donte vajzën e një gjenerali e bënte sjellje të papranueshme dhe më pas e arrestojnë në përpjekje për të kaluar kufirin me Greqinë. Thoshte se donte të arrinte gjyshin që kishte në Amerikë. Pastaj rruga e gjatë e internimeve. Kampi i parë ka qenë i Valiasit, pastaj puna për hapjen e kanaleve në bregdetin e Kavajës e më tej në Maliq për tharjen e kënetës. Tregonte se aty kishte njohur personalitetet e kulturës shqiptare që i kishte dënuar regjimi, përfshirë edhe Mitrush Kutelin. Ishte shprehur se po shkruante kujtime lidhur me ta: bisedat, shakatë, letërkëmbimet… A i mbaroi vallë? A do të ketë bashkë me to fletushka ku hidhte vargje? Pavarësisht gjithçkaje, ai shkruante. Kishte pasion. Fliste për hire femërore paturpësisht. Lakuriqësia nuk njihte censurë në vargjet e tij. As mosha nuk e pengoi. Nuk hoqi dorë nga jeta prej bohemi deri në fund, nga orët e vona të natës, teksa ngjizej edhe poezia. Ka botuar disa vëllime me poezi, kryesisht me ndihmën e miqve. Tre vjet më parë, Xhevahir Spahiu po punonte me të për vëllimin e fundit. Kitara cigane titullohej. E kuptueshme. Ai gjente shumë më shumë në harenë e tyre. Jetonte me ta në mungesë të një shtëpie që thoshte se ia kishin shembur e kishin ndërtuar pallat, por gjente aty edhe të bukurën. Mes miqsh dhe në vetmi. Kështu ishte Pano Taçi. Po të kishte një fat më të mirë nuk e dimë a do të ishte edhe një poet më i mirë, sepse dhembja e ushqen njeriun, e ushqen poetin. Dostojevski ka thënë: Më jepni një dhembje tju jap një kryevepër, na thoshte poeti Xhevahir Spahiu atë kohë. Zgjohu zemër e drobitur\Çfle e kyçur nga vetmia\Hape derën, ka trokitur\Le të hyjë dashuria\, shkruante ai.

sa-pak-qiell-pano-taci Dekorimi i 4 artisteve nga presidenti

Pani Plak (kështu e thërrisnin miqtë, duke bërë edhe romuze për pasionet e tij dashurore), i mbylli sytë! Mbeti në pritje të një shpërblimi si i përndjekur politik. Nuk e mori dot! Por të paktën iku i lirë…

Pano Taçi, poeti që mbeti dy ditë në morg burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›