E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pantonima polake, sukses në Elbasan

"Shes shtëpinë në të cilën nuk rri më kurrë", kështu është titulluar në mënyrë alegorike pjesa polake me regji të Jerzy Zon, e cila është ngjitur në skenën e Teatrit të Elbasanit, në vazhdën e shfaqjeve në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit Alternativ, i cili zhvillohet për çdo vit në Elbasan. E ndërtuar në mini-zhanrin "pantonimë", në këtë shfaqje jeta nën udhëtimin metaforik të zhurmës së një treni që nuk kishte stacion, përshkruhej me plastikën e fytyrës artistike të roleve, lëvizjeve në funksion të idesë së veprës e gjesteve gjithë kuptim, duke përcjellë kështu të gjithë harkun kohor të jetës njerëzore. E ideuar nga ana regjisoriale për t‘u shfaqur në rrugë, në mungesë të fondeve për mjetet ndriçuese e efektet dramatike, shfaqja nisi në sallën e teatrit "Skampa". Si pikënisje e jetës njerëzore, në kuptim metaforik e figura alegorike komike, lindja e një fëmije e pagëzimi i tij përbënin dy nga momentet e rëndësishme të jetës për t‘u pasuar më pas me kulmin jetësor, martesën. Shfaqja u mbyll me pesimizmin që sjell me vete vdekja, ku ritet e zakonet e qarjes apo zisë janë emërues i përbashkët i të gjithë popujve. E shoqëruar gjatë gjithë kohës me simfoninë zhurmuese të trenit me avull, në sfond dëgjoheshin këngë italiane e polake si himne ndaj ngazëllimeve në jetë. Për Adonis Filipin, regjisorin e festivalit, shfaqja polake ishte "kurora" e këtij edicioni edhe pse surprizat sipas tij nuk përfundojnë këtu. Për herë të parë në skenën e këtij festivali pritet të interpretojnë artistë serbë e kroatë.

B. D.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›