E Hënë, 2 Nëntor 2026

Papa Françesku: Të hetohen sulmet izraelite në Gazë, nëse kemi të bëjmë me gjenocid

Papa Françesku ka bërë thirrje për një hetim për të përcaktuar nëse sulmet e Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid, referuar fragmenteve të një libri që pritet të botohet së shpejti.

Kjo është hera e parë që Papa Françesku ka kërkuar hapur hetim për akuzat për gjenocid mbi veprimet e Izraelit në Rripin e Gazës.

Në muajin shtator, ai tha se sulmet e Izraelit në Gazë dhe Liban kanë qenë “imorale” dhe joproporcionale dhe se ushtria e tij ka shkuar përtej rregullave të luftës.

“Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gazë ka karakteristikat e një gjenocidi”, tha Papa në fragmentet e një libri, të botuara të dielën nga e përditshmja italiane La Stampa.

“Ne duhet të hetojmë me kujdes për të përcaktuar nëse ai përshtatet me përkufizimin teknik të formuluar nga juristët dhe organet ndërkombëtare,” shtoi ai.

Vitin e kaluar, Papa Françesku u takua veçmas me të afërmit e pengjeve izraelitë në Gazë dhe palestinezët që jetonin gjatë luftës dhe ndezi polemika të shumta duke përdorur fjalë që diplomatët e Vatikanit zakonisht i shmangin si “terrorizëm” dhe, sipas palestinezëve, “gjenocid”.

Papa Françesku foli në atë kohë për vuajtjet e izraelitëve dhe palestinezëve pas takimeve të tij, të cilat u organizuan përpara marrëveshjes izraelite-Hamas për pengjet dhe ndalimin e përkohshëm të luftimeve.

Papa, i cili javën e kaluar takoi gjithashtu një delegacion pengjesh izraelitë që u liruan, kishte kontroll editorial mbi librin.

Fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë më shumë se 43,000 njerëz, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, numërimi i të cilëve nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve, megjithëse ata thonë se më shumë se gjysma e të vdekurve janë gra dhe fëmijë. Konflikti Izrael-Hamas në Gaza ka shkaktuar disa çështje ligjore në gjykatat ndërkombëtare në Hagë që përfshijnë kërkesa për urdhër-arreste, si dhe akuza dhe mohime të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Në librin e ri, Papa Françesku flet edhe për migrimin dhe problemin e integrimit të emigrantëve në vendet pritëse.

“Përballë kësaj sfide, asnjë vend nuk mund të lihet vetëm dhe askush nuk mund të mendojë ta trajtojë çështjen në izolim përmes ligjeve më kufizuese dhe represive, ndonjëherë të miratuara nën presionin e frikës ose në kërkim të avantazheve elektorale. Përkundrazi, ashtu siç shohim se ka një globalizim të indiferencës, ne duhet të përgjigjemi me globalizimin e bamirësisë dhe bashkëpunimit,” shtoi ai.

Françesku përmend gjithashtu “plagën ende të hapur të luftës në Ukrainë ka bërë që mijëra njerëz të braktisin shtëpitë e tyre, veçanërisht gjatë muajve të parë të konfliktit”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›