E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa: Më dhemb kur shoh priftin me modelin e fundit të veturës

Disa besojnë që kënaqësia është në gjërat që posedojmë, si modeli i fundit ië smartphonit, modeli i fundit i veturës, pirja e kafesë apo dreka në lokalet që janë më në zë, por nuk është kështu, tha kreu i katolikëve të botës, papa Françesku. “Më dhemb kur shoh një prift apo motër nderi në modelin më të ri të automobilit: kjo nuk bën”, tha me zë të lartë papa Françesku duke folur sot pasdite para 6 000 katolikëve me të cilët u takua në Vatikan. Lumturia nuk krijohet për shkak të gjërave që posedohen, theksoi Papa duke folur pa tekst të shkruar, raporton gazeta Veçernji list e Zagrebit.

Ky ishte vështrimi më i ashpër i Papës ndaj sjelljeve të njerëzve të Kishës Katolike, duke theksuar se nevojitet një ripërtëritje e themeltë e saj dhe se nga kjo nuk duhet pasur frikë. “Mua më vjen të vjellë kur shoh ndonjë klerik në modelin e fundit të automobilit. Nuk bën kështu. Mendoni se sa fëmijë në botë vdesin nga uria”, tha kreu i Kishës Katolike, duke shtuar se një lloj i tillë “lumturie” mbetet vetëm në sipërfaqe. Lumturia dhe kënaqësia e vërtetë nuk është në gjësende, por në takime, në ndjenjën që je i pranuar, i kuptuar dhe i dashur”.

Para se të blini automobilin e ri, luksoz, mendoni në fëmijët që vdesin urie, tha Papa para të rinjve katolikë, kurse mediet thonë se kjo porosi ka të bëjë me të gjithë priftërinjtë brendapërbrenda Kishës, deri te peshkopët dhe kardinalët./Indeksonline/ 
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›