Prishtinë: Paguajnë taksat komunale, kërkojnë rrugë

Kërkesat e vazhdueshme të banorëve të rrugës “Shaqir Igrishta”, në lagjen “Mati 1” të Prishtinës, për rregullimin e infrastrukturës, deri tashti nuk kanë rezultuar me ndonjë rezultat konkret. Pavarësisht se banorët e kësaj lagjeje kryejnë obligimet tatimore ndaj Komunës, rruga është si ato malore. Ata pohojnë se kjo pjesë e qytetit të Prishtinës është lënë në harresë nga zyrtarët që udhëheqin kryeqendrën. Sipas tyre, kur bëhet fjalë për dhënien e lejeve të ndërtimit për ndërtesa kolektive, Drejtoria e Urbanizmit është shumë efikase, duke lëshuar më shumë se 13 sosh, njofton KTV.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj ka thënë se finalizimi i projektit për asfaltimin e rrugës “B” pritet t’i hapë krahë edhe rregullimit të rrugës në afërsi të saj.
Banorët shpresojnë se ata nuk do të mashtrohen nga premtimet e Komunës, duke ua rikujtuar zyrtarëve komunalë se pagesa e taksës në mënyrë të rregullt obligon Komunën për të ofruar infrastrukturë të mirëfilltë./Indeksonline/