Papa nuk veproi ndaj akuzave për abuzime
Skandalet seksuale që kanë përfshirë Kishën Katolike i janë afruan Atit të Shenjtë me disa dalje faktesh të reja. Kështu, sipas tyre, në vitin 1990, kardinali i atëhershëm, Racinger, nuk ia hoqi të drejtën e ushtrimit të profesionit një prifti amerikan, i cili kishte ngacmuar seksualisht qindra djem të shurdhër, pavarësisht se kishte marrë letra nga një numër peshkopësh amerikanë që e kishin lutur të merrte masa. Sipas gazetës “New York Times”, sapo janë zbuluar disa korrespondenca të brendshme mes peshkopëve në Viskonsin, drejtuar kardinalit Racinger, në të cilat ata paralajmëronin kardinalin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të kishës që nëse nuk do të merreshin masa, kisha do të vihej në një pozitë shumë të vështirë. Këto zbulime janë bërë në kuadrin e një procesi gjyqësor në një çështje të ngritur kundër dioqezës në Milwaukee, në të cilën ndodhej edhe at Laurence Murfy, që punonte në shkollën e Shën Xhonit për fëmijët e shurdhër. Ai e nisi punën në këtë shkollë në pozicionin e mësuesit dhe më pas u bë edhe drejtor i saj. Sipas akuzës, ai ka ngacmuar seksualisht rreth 200 nxënës, të cilët i ngacmonte ndërsa ishin në fjetore, në ekskursionet e klasës, apo edhe kur i merrte në shtëpinë e së ëmës në fshat. Sipas gazetës “New York Times”, në vitin 1996 ky rast iu çua për shqyrtim Kongregacionit për Doktrinën e Besimit në Vatikan, që është edhe zyra e cila vendos për gjykimet kanonike, zyrë që drejtohej në atë kohë nga Papa aktual. Kardinali ndërkohë nuk u ishte përgjigjur dy letrave që i kishin ardhur në lidhje me akuzat nga ish-peshkopi i Milwaukee. Edhe pse zëvendësi i Racingerit, kardinal Tarcisio Nertone, aktualisht sekretari i Shtetit të Vatikanit, shkoi në Amerikë për të instruktuar peshkopët për një gjyq kanonik për atin e akuzuar, gjyqi u pezullua dhe u ndalua, pasi prifti i shkroi kardinalit Racinger një letër në të cilën i lutej për shpirtbutësi, duke qenë se ai nuk ishte mirë me shëndet. Këto dokumente kanë dalë ndërsa Papa përballet me akuza të tjera, që kanë të bëjnë me indiferencën e tij ndaj priftërinjve që akuzoheshin për abuzime. Kjo gjatë periudhës kur ishte peshkop në Gjermani.
#