E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos fillon sot takime në Bruksel dhe Luksemburg

ATHINE - Në vizitën e parë në Bruksel në cilësinë e Kryeministrit të Greqisë, Lukas Papadhimos do të takohet sot me Kreun e Komisionin Evropian, Hoze Barroso dhe presidentin e BE-së Herman Van Rompuy.

Nesër, kryeministri grek do të udhëtojë në Luksemburg ku do të takojë kryetarin e Eurogrup Jean-Claude Juncker.

Vizitat nga Papadhimos në dy kryeqytetet evropiane janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ekonominë greke dhe atë evropiane. 

Kryeministri grek pritet të informojë bashkëbiseduesit e tij mbi përpjekjet e bëra nga Greqia për të përmbushur objektivat e saj ekonomike gjatë vitit 2011 dhe mbi elementë kritikë të buxhetit të vitit 2012. 

Interesi i drejtuesve të BE do të përqëndrohet në hapat e ardhshme të Greqisë për të arritur objektivat e vendosur lidhur me privatizimin, shkurtimet në sektorin publik, luftën ndaj evazionit fiskal dhe promovimin e ndryshimeve strukturore.

Papadhimos duhet të shpjegojë buxhetin e vitit 2012, çdo masë shtesë që mund të merret në mes të vitit të ardhshëm, si edhe skenarët alternativë për adresimin e problemeve të sistemit bankar. 

Kryeministri grek do të diskutojë gjithashtu me krerët evropianë edhe ecurinë e negociatave mbi shkëmbimin e obligacioneve të qeverisë greke, gjatë të të cilit ato do të reduktohen mesatarisht, në gjysmë.

Gjithashtu pritet që Papadhimos të diskutojë çështjen e garancive që Eurogroup kërkon nga forcat kryesore politike në Greqi, lidhur me zbatimin e programit të ri dhe refuzimin e kryetarit të partisë "Demokracia e re" për të nënshkruar. 

Reagimi i kreut të opozitës konservatore greke, Samaras, konsiderohet nga Brukseli sa i pakuptueshëm aq dhe i rrezikshëm, si për Greqinë ashtu edhe për zonën e euros.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›