E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papadhimos fton Gruevskin të takohen në Bruksel

ATHINE - Kryeministri grek Lukas Papadhimos i ka sugjeruar homologut të tij të Maqedonisë, Nikola Gruevski, të takohen në kuadër të samitit të bashkimit Europian, në fillim të marsit, në Bruksel. 

Kryeministri grek thekson angazhimin e Athinës në një politikë afatgjatë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe insiston në zgjidhjen e çështjes së emrit të Shkupit nën kujdesin e OKB-së.

Papadhimos thekson se takimi duhet të bëhet "nën dritën" e mirëbesimit nga pala e vendit fqinj.

Në letrën me të cilën i përgjigjet asaj që z.Gruevski i dërgoi nëpërmjet zv/kryeministres Teuta Arifi, gjatë vizitës së saj në Athinë, Papadhimos thekson se "Çështja e emrit duhet të zgjidhet nëpërmjet negociatave esenciale nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara". 

Papadhimos shton në letrën e tij: "Ju inkurajoj të punoni në mënyrë konstruktive drejt realizimit të këtij qëllimi". 

Duke iu referuar vizitës së pritshme të negociatorit të OKB për emrin, Matthew Nemetz në rajon, Papadhimos nënvizon se "pritet të ndihmojë procesin e negociatave për zgjidhjen e çështjes, me kushtin që të dy palët të tregojnë vullnetin e domosdoshëm politik".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›