Papandreou: Qëndrimi grek ndaj Kosovës nuk ndryshon
ATHINE-Greqi nuk do ta njohë edhe për shumë kohë pavarësinë e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreou në një intervistë për Vecernje Novosti. “Qëndrimi i Greqisë është që të krijohet një ambient i sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb”- ka deklaruar kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreou. I pyetur nëse është ushtruar presion mbi Greqinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe nëse qëndrimi i Greqisë do të ndryshojë në këtë drejtim, Papandreou në intervistën për Vecernje Novosti, ka thënë se stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë baza e politikës greke. “Qëndrimi i Greqisë për këtë çështje është mirë i njohur dhe nuk do të ndryshojë. Stabiliteti i rajonit dhe e drejta ndërkombëtare janë bazë e politikës tonë. Jemi të përkushtuar në tentativat e krijimit të një ambienti të sigurt dhe prosperues për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin serb”. “Më lejoni të shtoj se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe religjioze në Kosovë, ka rëndësi të madhe për ne, dhe angazhimi jonë në rajon tregon përkushtimin tonë për këto qëllime. Kjo do të thotë se ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe është prioritet i lartë për të gjithë neve në BE”, ka thënë Papandreou. (d.b/BalkanWeb)