Papandreu-Berisha-Gruevski, takim në Prespë
Mediat greke raportojnë për një takim informal mes tre kryeministrave të vendeve fqinje, Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Takimi pritet të mbahet ditën e premte, pranë liqeneve të Prespës. Agjencia "Athens neps" shkruan se ka qenë Kryeministri i Greqisë, George Papandreu, nismëtari i takimit. Ai e ka ftuar Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, dhe atë të Maqedonisë, Nikola Gruevski, për një takim në Parkun Kombëtar të liqeneve të Prespës. Tema e diskutimit do jetë një iniciativë e përbashkët për ruajtjen e rajonit të liqeneve të Prespës, që shtrihet mes Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Nuk dihet ende nëse do të bisedohet edhe për çështje të tjera të rëndësishme të tri vendeve.