Serbia, katër "shtyllat" dhe Kosova
Me siguri që lavdërimet e fundit të revistës britanike "Economist", në adresë të diplomacisë serbe, se vitin e fundit ajo ka qenë hiperaktive dhe e gjallë, sidomos shprehja e kësaj reviste të njohur se kjo diplomaci "ka vepruar sikur mbështetej në steroide", kanë ngjallur kënaqësi të mëdha në ndërtesën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë në rrugën "Knez Millosh" të Beogradit. Në realitet, pakkush mund ta mohojë aktivitetin intensiv e të pandërprerë të shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, duke shtuar këtu edhe atë të Presidentit Boris Tadiç dhe të Kryeministrit Mirko Cvetkoviç në planin ndërkombëtar, si edhe faktin se një numër i madh kryetarësh shtetesh e qeverish të një numri të madh vendesh kanë vizituar Beogradin. Por, sidoqoftë, ajo që bie në sy është se politika e jashtme e Serbisë është hapur mjaft, pra i ka vënë vetes shumë qëllime njëherësh që vështirë se mund të realizohen, duke pasur parasysh se ka nga ata që përjashtojnë njëri-tjetrin, se ajo mbështet në shumë "shtylla", më saktë në katër të tilla (marrëdhëniet me BE-në, Rusinë, SHBA-në dhe Kinën), ndërkohë që atë (politikën e jashtme) e përshkon si një "fill i kuq" çështja e Kosovës. Shprehja e përsëritur e ministrit të Jashtëm serb, Jeremiç, e huazuar në fakt që nga koha e mbretërisë, se fati i Serbisë është të jetë Lindje në Perëndim dhe Perëndim në Lindje, ka ngjallur habi dhe ka tërhequr kritika nga specialistët e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatët me përvojë, që konstatojnë se Serbia në politikën e jashtme, pavarësisht nga pretendimet, ende operon me termat e kohës së Luftës së Ftohtë, ndërkohë që edhe pozita e saj ndërkombëtare nuk shumë e qartë. "Për ne është e rëndësishme të forcojmë marrëdhëniet me miken historike, Rusinë, të vazhdojmë bashkëpunimin me SHBA-në, të ruajmë partneritetin strategjik me Kinën, që do të ketë një rëndësi të madhe në të ardhmen, dhe të thellojmë marrëdhëniet me të gjithë kombet e botës, shumë prej të cilëve janë pjesëtarë të lëvizjes së paangazhuar", theksoi kohët e fundit shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, duke shtuar, sidoqoftë, menjëherë pas kësaj, se anëtarësimi në BE mbetet prioriteti kryesor strategjik i vendit. Por, duke pasur parasysh se në planin global marrëdhëniet mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës janë ende të parregulluara, vështirë se kjo lloj politike e Serbisë do të mund të sjellë rezultatet e duhura. "Një vend i vogël, sikurse është Serbia, nuk mund të mbledhë rreth vetes fuqi të mëdha të tilla. Sidoqoftë, për ne "shtylla" dhe partneri më i rëndësishëm duhet të jetë BE-ja, duke pasur parasysh jo vetëm afërsinë gjeografike, por edhe leverdinë ekonomike", shpreh mendimin e tij Predrag Simiç, profesor i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd dhe ish-ambasador i Serbisë në Francë, duke vazhduar më tej se "BE-ja, në kuadrin e bashkëpunimit të ndërsjellë, mund të na japë më shumë në aspektin financiar dhe kështu, kam mendimin se është e domosdoshme që ta forcojmë në maksimum këtë drejtim të politikës së jashtme. Sigurisht, në qoftë se biem dakord se prioriteti ynë është BE-ja dhe duhet të kujtoj se pikërisht në favor të kësaj votuan qytetarët tanë në zgjedhjet parlamentare të fundit". Ai thekson se çështja e Kosovës përshkon të gjithë politikën e jashtme të Serbisë, se ajo ka lidhje me të gjithë objektivat e kësaj politike që nga marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-në, deri te marrëdhëniet me vendet fqinjë. Pavarësisht nga lavdërimet në drejtim të diplomacisë aktive serbe, revista prestigjioze britanike "Economist", në shkrimin e saj shtron pyetjen se çfarë rezultatesh pret Serbia nga kjo diplomaci e saj, ndërsa, duke iu referuar analistëve të ndryshëm, vë në dukje se diplomacia serbe do të pësonte një goditje të rëndë nëse vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për çështjen e ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk do të ishte në favor të Serbisë, qoftë edhe nëse vendimi, sikurse parashikohet gjerësisht, do të jetë "as mish, as peshk", pra i tillë që atë do ta interpretonin sipas interesave të veta të dyja palët. Sido që të jetë, Kosova ndikon në shkallë të madhe në integrimin europian të Serbisë, megjithëse kjo e fundit thotë se hyrja e saj në BE nuk kushtëzohet nga njohja e pavarësisë së Kosovës. BE-ja, në fakt, sikurse e ka deklaruar në raste të ndryshme, kërkon nga Serbia mbajtjen e "një qëndrimi konstruktiv dhe pragmatik ndaj zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës", që, midis të tjerave, sikurse e kupton shumica e analistëve, do të thotë të paktën bashkëpunim me EULEX-in dhe mospengim të zhvillimit të Kosovës, një qëndrim, për përqafimin e të cilit Serbia, në përgjithësi, nuk ka treguar ndonjë lloj gatishmërie. Serbia, ndërkohë, edhe pa Kosovën, ndodhet përballë sfidës së madhe që t‘i mbushë mendjen BE-së se ajo po bashkëpunon me sinqeritet me Gjykatën e Hagës për kapjen e kriminelit famëkeq të luftës, Ratko Mlladiç, me qëllim që të zhbllokojë Marrëveshjen Kalimtare me BE-në, që vendet-anëtare të kësaj të fundit të fillojnë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me këtë vend. Është kjo arsyeja që analistët mendojnë se politika e jashtme e Serbisë, në vend që të hapërdahet andej-këndej, është mirë të përqendrohet te BE-ja. "Duhet që me të gjitha forcat të përpiqemi që ta prishim atë imazh që mbizotëron për Serbinë, se ajo është një vend që nuk bën asgjë pa presionin e Tribunalit të Hagës dhe të BE-së", thekson prof. Simiç.
M.Sinemati
M.Sinemati