E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptarët e Preshevës, kundër bazës ushtarake serbe

I ka kushtuar shtrenjtë rishfaqja e muskujve militaristë Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç. Një ditë pas deklaratave provokative dhe përurimit të një baze të madhe ushtarake në Bujanovc, pjesë e Luginës së Preshevës, banuar nga shqiptarët, e ka vënë kreun e Beogradit përballë reagimeve të ashpra të qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Metvegjës, Prishtinës zyrtare por edhe Shkupit, i cili ka hedhur poshtë provokimet e Tadiçit, se Maqedonia nuk e njeh kufirin me Kosovën.

Shqiptarët e Luginës thonë se baza e Cepotinit nuk ishte e nevojshme, pasi sytë e tyre janë nga Kosova dhe Shqipëria.

Që prej konfliktit të armatosur ata kanë kërkuar të shohin më pak uniforma në zonë dhe më shumë plane ekonomike. Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës kanë kundërshtuar ashpër hapjen e bazës ushtarake serbe ‘JUG‘ në Cepotin të Komunës së Bujanocit. Riza Halimi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, dhe njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë, thekson se ndërtimi i kësaj baze ushtarake për të gjitha forcat politike në Luginën të Preshevës ka qenë i papranueshëm. "Për ne ka qenë i papranueshëm jo vetëm si një segment i militarizimit që nuk përkon me kohën dhe realitetin, por edhe si një kërcënim, thjesht si një qasje e gabuar e strukturave qeveritare, që këtë rajon e shohin si të destabilizuar, duke e mbajtur peng të interesave të tyre", theksoi Halimi. Ndërkaq, edhe kryetari i Komunës së Preshevës, dhe njëherësh edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, u shpreh se kjo bazë ushtarake është bërë pa pëlqimin e politikës shqiptare. Sipas tij, problemet duhet të zgjidhen me anë të bisedimeve, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e faktorit ndërkombëtar edhe jo me anë të dhunës dhe formave të tjera jopaqësore. Mustafa tha se 10 milionë eurot e harxhuara për këtë bazë ushtarake, po të përdoreshin për ndërtimin e infrastrukturës, do të ndihmonin zhvillimin ekonomik të këtij rajoni dhe komunave shqiptare, të cilat janë më të pazhvilluarat në Serbi. Kryetari i Kuvendit të Komunës së Preshevës, Skënder Destani, tha se Serbia duhet të punojë për t‘u bërë pjesë e familjes europiane e jo të merret me ndërtimin e bazave ushtarake të panevojshme për kohën. "Marrëveshja e Konculit është e qartë, pra demilitarizimi i rajonit të Luginës së Preshevës. Të gjitha partitë politike shqiptare në Luginë janë kundër formimit të bazave ushtarake dhe kundër remilitarizimit të rajonit. Serbia nuk duhet të formojë baza ushtarake, por duhet të punojë për integrimet europiane atje ku synojnë të gjithë qytetarët e saj", theksoi Destani. Edhe Shaip Kamberi, kryetari i Komunës së Bujanocit, ka reaguar duke theksuar se baza ushtarake në Cepotin do të ketë reflektime negative për gjithë rajonin.

Ka reaguar menjëherë Prishtina zyrtare, me anë të Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi. Kreu i Republikës së Kosovës theksoi se "kanë kapërcyer periudhat kur Serbia ka mbajtur një rol hegjemonist ndaj vendeve të tjera përreth, sipas një logjike irracionale që ka pasur". Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi deklaroi se "siguria, paqja, stabiliteti në rajon arrihen dhe garantohen vetëm me vlerat euro-atlantike dhe jo me angazhime apo mentalitete të forcave të armatosura njënacionale". Ndërkohë, për këtë avancim të Beogradit, e vetmja që s‘ka reaguar është Tirana zyrtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›