E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu: Nuk do të ketë lëshime për emrin

Kryeministri grek Jorgos Papandreu deklaroi se Greqia nuk do të bëjë lëshime rreth interesave kombëtare, edhe përkundër situatës së rëndë që ka përfshirë këtë vend.

Këte deklaratë ai e dha pranë këshillit kombëtar të partisë së tij PASOK, duke komentuar për kontestin e emrit me Maqedoninë, çështjen qipriote dhe marrëdhëniet me Turqinë, informon agjencia e lajmeve INA.

“Ju duhet të kuptoni se ka shumë qarqe që dëshirojnë të shfrytëzojnë situatën momentale për të bërë lëshime nga ana jonë për çështje të mëdha, jo vetëm shoqërore, por edhe kombëtare. Qeveria jonë duke u ballafaquar me këtë , ka qëndrim të shprehur të qartë”, deklaroi Papandreu.

Lidhur me kontestin e emrit me Shkupin, kryeministri grek ka nënvizuar se nuk ka pazarllëqe dhe negociata me çështjet që ndikojnë në integritetin dhe interesat kombëtare greke. Ai ka shtuar se vendi po merr ndihmë nga Europa, por kjo nuk ndikon sipas tij, në çështjet e hapura me Shkupin, me turqit dhe çështjen qipriote.

“Rruga është e gjatë, por do të kemi sukses, do të ecim përpara dhe jo drejt zgjedhjeve”, ka pohuar Papandreu, duke përgënjeshtruar zërat për zgjedhje të parakohshme në Greqi. Më herët presidenti i maqedonisë Gjorgje Ivanov ka theksuar se Maqedonia pret që me rastin e shënimit të 20 vjetorit të pavarësisë dhe 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, të nisë bisedimet për anëtarësim me BE-në.

“Për fat të keq, sipas tij, sjelljen e këtij vendimi po e bllokon një anëtare e BE-së, për shkak të problemit me emrin që ka. Unë dëshiroj që ju të dini se Republika e Maqedonisë është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për emrin. Ne na duhet zhbllokimi i proceseve eurointegruese një orë e më parë. Por, për zgjidhjen duhet konstruktivitet edhe nga pala tjetër”, theksoi Ivanov.  
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›