Papandreu-ministrave: Përgatisni dorëheqjen

Kryeministri grek ende në detyrë, Jorgos Papandreu ka përfunduar takimin që pati me ministrat e kabinetit të tij, të cilëve u ka kërkuar të përgatisin dorëheqjet.
Takimi u zhvillua ndërkohë që pritet të shpallet edhe emri i personit që do të zërë vendin e Papandreut në krye të qeverisë së përkohshme. Gjatë mbrëmjes të së hënës, pas negociatash të vështira për formimin e qeverisë kalimtare kryeministri grek në largim Papandreou dhe udhëheqësi i opozitës Antonis Samaras, ranë dakort për një kryetar të ri qeverie, por nuk saktësuan emrin.
Kështu pritet nga moment në moment, që të bëhen publikë emri i Kryeministrit të ardhshëm dhe kabineti i tij. Kabineti i ri grek duhet të zbatojë vendimet e marra në samitin e fundit të euros në fund të tetorit në lidhje me stabilizimin financiar të vendit. Zgjedhjet e reja mund të zhvillohen në mes të shkurtit.