Papunësia, 20 % e të rinjve braktisin universitetin për kurse profesionale
Të gjesh një vend pune sot është më e pamundur se kurrë. Jo vetëm ata që nuk kanë një diplomë universitare, por edhe të rinj të diplomuar në degë si inxhinieria apo ekonomiku nuk arrijnë të depërtojë në tregun e punës, në profesionin që kanë. Kjo shpjegon edhe arsyen se pse shumë prej tyre kanë hequr dorë nga diploma, dhe i janë rikthyer Qendrave të Formimit Profesional për të përfituar një zanat të dytë. Këto qendra rezultojnë më pak të kushtueshme si në kohë dhe në para. Ato zgjasin më pak se një vit dhe kushtojnë nga 1500 lekë deri në 5 mijë lekë të reja niveli. Në to mund të trajnohesh për informatikë (kompjuter); gjuhë të huaja; kuzhinë; parukeri; rrobaqepësi; sekretari; elektricist etj, ndërkohë që vit pas viti hapen kurse të reja paralelisht me kërkesat që ka tregu i punës.
Kursantët
Në aktivitetin që u organizua dje në Tiranë me rastin e 20 vjetorit të ngritjes se qendrës së parë profesionale në Shqipëri, vetë drejtues të këtyre qendrave profesionale pohuan se të rinj me arsim të lartë po kërkojnë përherë e më shumë të ndjekin një kurs profesional, pasi nuk arrijnë të gjejnë një punë me universitetin që kanë kryer. Çdo vit certifikohen rreth 10 mijë të rinj në të gjitha qendrat e formimit profesional, ku gati 20 % e të regjistruarve janë me fakultet, inxhinier, gazetar, ekonomist apo dhe mësues. Pjesa më e madhe e tyre arrijnë të punësohen pas mbarimit të kursit, madje ne kemi edhe raste të ngritjes së bizneseve mjaft të suksesshme, nga kursantët tanë, tha dje Vasil Muka, drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional nr.1 në Tiranë.
Punësimi
Ndërkohë edhe Ilir Ibrahimi, drejtor i Shërbimit Kombëtar të punësimit u shpreh se nga të dhënat zyrtare më shumë se 50 % e personave që janë trajnuar në këto qendra në të gjithë vendin, sot kanë mundur të punësohen falë ndërmjetësimeve të tyre individuale. Përgjithësisht ata nuk regjistrohen në zyrat e punës, pasi kanë arritur të integrohen në tregun e punës. Sfida jonë tashmë mbetet rritja e cilësisë së kurseve, dhe hapja e kurseve të reja gjithmonë në përputhje me tregun e punës, duke rritur në këtë mënyrë edhe numrin e të punësuarve në vend, tha Ilir Ibrahimi, drejtor i Shërbimit Kombëtar i Punësimit. Çdo vit buxheti i shtetit, për të mbështetur qendrat e formimit porfesional ka ardhur në rritje, por drejtuesit e këtyre institucioneve kërkojnë edhe mbështetje nga biznesi privat.
Zyrat e punës
Ndërkohë në raportet e saj zyrtare Qeveria deklaron se në Shqipëri numërohen jo më shumë se 143 mijë të papunë, nga 1.060.000 persona të aftë për punë. Nga 13.7 për qind që ka qenë një vit më parë, kjo shifër e papunësisë ka shkuar në 13.26 për qind këtë vit. Por realisht numri i të papunëve, kryesisht të rinjve mendohet se është shumë më i lartë se kaq, pasi shifra prej 143 mijë i referohet numrit të të papunëve të regjistruar në Zyrat e Punës, ndërkohë që jo të gjithë të papunët në Shqipëri janë regjistruar pranë këtyre zyrave.