E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me detyrën, arrestohet drejtori i Legalizimeve

durres-skender-koni-kreu-i-INUK-300x225Durrës/Afera korruptive çon pas hekurave të qelisë edhe drejtorin e Inspektoriatit Ndërtimor Rajonal Urbanistik në Durrës, një grua ndërmjetëse dhe një i tretë u shpall në kërkim si bashkëpunëtor. Policia e Durrësit njoftoi dje se agjentët e Sektorit Kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim edhe me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë, finalizuan duke zbardhur dita e djeshme, operacionin e koduar Prona e premtuar. Gjykata e Rrethit Durrës, më datë 5 maj 2013, ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg ndaj tyre.
Arrestimi
Në pranga u vu Skënder Koni, 65 vjeç, kreu i zyrës së Inspektoriatit Ndërtimor Durrës, Elsa Zoto, 51 vjeçe, banuese në këtë qytet dhe ndërmjetëse. Gjithashtu gjykatë ka vendosur të njëjtën masë sigurimi edhe për një person të tretë të shpallur në kërkim, identiteti i të cilit për shkak të hetimit nuk bëhet publik. Në bazë të punës hetimore që këto struktura kanë kryer, dyshohet se të akuzuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar dhe marrë përfitime të paligjshme për të regjistruar dhe legalizuar prona të disa banorëve të vendosur në një truall me sipërfaqe 3253 m2, njoftuan burime zyrtare nga komisariati. Mësohet gjithashtu se shumat e paguara nga familjet varionin sipas pazareve të kryera, por bëhet me dije se shkonin nga 200-400 mijë lekë. Gruaja e ndaluar akuzohet si ndërmjetëse në këto afera dhe pasi binte në kontakt me krerët e Inspektoriatit që kishin në dorë shembjen e ndërtesave pa leje, arrinin marrëveshjen për të ndihmuar në legalizim objektesh.
Korrupsioni
Burime policore thanë se të dyshuarit luanin me klauzolat ligjore për legalizime dhe rregullat për urbanistikën në qytetin e Durrësit. Hetimet kishin nisur pas disa ankesave të qytetarëve dhe ndjekjes që kanë bërë agjentët ndaj zyrtarit vendor, duke siguruar me metoda speciale edhe provat për ta çuar në paraburgim dhe proces gjyqësor. Ndaj të ndaluarve dhe të shpallurit në kërkim rëndojnë akuzat ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që kryejnë funksione publike, në bashkëpunim. Vetë Koni ka mohuar veprën penale, duke u shprehur se nuk dinte gjë për aferat dhe abuzimet që bëheshin me legalizimet e ndërtimeve. Po dje, materialet në ngarkim të tyre iu përcollën Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›