E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papunesia ne BE

Bashkimi Europian ka përjetuar vitin më të vështirë  të papunësisë dhe thellimit të pabarazive midis shtresave sociale që prej 20 vjetësh. Numër rekord papunësie, ndryshim i thellë i diferencave  sociale midis Veriut dhe Jugut të BE-së,  rritje e konsiderueshme e numrit të punëtorëve të varfër, si dhe shtim rekord i punësimit të pjesshëm. Ky është bilanci i raportit të fundit të  Komisionit Europian mbi punësimin dhe gjendjen sociale nê Europê.
 “2012 ka qenë një vit shumë i keq për Europën. Pas 5 vitesh krize ekonomike, jemi përballur me recesion, papunësia ka kapur nivele të papara që prej dy dekadash dhe situata sociale po keqësohet. Kjo konfirmohet nga raporti ynë mbi punësimin dhe zhvillimin social që kemi publikuar sot. Rezulton gjithashtu, se të ardhurat për familje kanë rënë dhe rreziku i varfërie dhe i përjashtimit social është shuke u rritur në mënyrë konstante”, u shpreh komisioneri për punësimin dhe çështjet sociale, Laszlo Andor.
 Fakt tjetër shqetësues, është numri i madh i papunësisë së të rinjve. Spanja vazhdon ende të jetë në krye të shteteve europiane për këtë fenomen, por ai po përhapet me hapa të shpejtë.
 “Problematike është numri prej 7,5 milion të rinj midis 15 dhe 24 vjeç të cilët ose janë të papunë, ose nuk përfitojnë nga asnjë trajnim apo shkollim. Në dhjetor të 2012 ne kemi propozuar metoda si të rriten shancet për punësimin e të rinjve. Shtetet anëtare duhet të formojnë një skemë garancie për të  rinjtë për tu siguruar, se në katër vitet që pasojnë fakultetin , ata të përballen me oferta pune adekuate, trajnimi apo specializim të denjë.Një tjetër masë e propozuar nga Komisioni është përmirësimi i sistemit pan-europian EURES për kërkim pune në një vend tjetër të BE-së që ka nevojë për kualifikimin e tyre”, sqaroi Andor.
Komisioni Europian ve theksin në forcimin e fondit social europian, si një nga instrumentat financiare më të vjetër të BE-së, i cili duket i domosdoshëm për të ndihmuar vendet që përballem me papunësi dhe probleme sociale të theksuara, ndërkohë që janë angazhuar në masa shtrëngimi të dhimbshme për popullsinë. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›