“Paqja fiskale”, Ibrahimaj: 15 % tatimfitim për bizneset bazuar mbi historikun, shmangen inspektorët

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha sot gjatë një bashkëbisedimi me sipërmarrës e përfaqësues të bizneseve në Elbasan, se “paqja fiskale” është një marrëdhënie e re që shteti kërkon të vendosë me biznesin dhe tatimpaguesit, ku biznesit do t’i jepet e drejta dhe mundësia të rregullojë marrëdhënien që ka me shtetin në të kaluarën dhe të eci drejt të së ardhmes me një lloj sigurie dhe parashikueshmërie.
Në takimin ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri, njëherësh edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ministri i Ekonomisë, Petrit Malaj, dhe drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, ministrja Ibrahimaj nënvizoi se paqja fiskale ka tre komponentë: tatimin e dakordësuar mbi fitimin, rishikimin e pasqyrave financiare dhe faljen e kamatëvonesave.
“Tatimi i dakordësuar mbi fitimin është një marrëveshje që do t’i propozohet çdo tatimpaguesi që është subjekt i tatimit mbi fitimin dhe do zgjasë për tre vjet me të drejtë rishikimi çdo vit, ku ne në bazë të një historiku të fitimit neto të kompanisë, ndaj do t’i propozohet një masë tatimi mbi fitimin që do të jetë 15%. Të gjitha bizneset që do të vendosin të hyjnë në këtë marrëveshje do të përjashtohen nga çdo lloj kontrolli tatimor, përfshi kontrollin e thelluar, vizitat fiskale apo në terren”, tha ajo.
“Nëse biznesi do të vendosë që të deklarojë një fitim më të lartë se ai i dakordësuar me tatimet përfitimi shtesë është që biznesi do të tatohet 5%. Për çdo biznes do të ketë një koeficient që lidhet me cilësinë e biznesit, i madh apo i vogël, që operon në një sektor që rritet më pak apo më shumë në krahasim me rritjen ekonomike etj. Një pjesë e madhe e bizneseve vijon të ketë një informalitet, nuk bëhet fjalë për biznese shumë të mëdha, të mesme të vogla, nëse do deklarojë më shumë se marrëveshja që ka dakordësuar me tatimet, supozojmë 150 mijë euro, atëherë fitimi shtesë do të tatohet me një normë 5%. Një incentivë e mirë që biznesi të shkojë drejt vetëdeklarimit dhe realitetit”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, një nga masat më të mira të “paqes fiskale” është ajo e shmangies së kontrolleve, që një pjesë e madhe e bizneseve në 35 vitet e fundit kur ekonomia ka qenë informale ka pasur vite që nuk kanë deklaruar. “Për të gjithë bizneset që dorëzojnë një bilanc, një deklaratë t’u japim të drejtën që të mund të shohin bilancin e tyre tatimore për një periudhë pesëvjeçare mbrapsht duke paguar një tatim prej 5% për çdo diferencë që që rishikohet”, pohoi Ibrahimaj. /j.p/