Para Mbikëqyrësve

Kryeministri Hashim Thaçi do të flasë të hënën në Vjenë para diplomatëve të Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar (ISG) për të arriturat në Kosovës gjatë muajve të fundit.
Drejtorët për Ballkanin të njëzet e pesë shteteve që përbëjnë këtë grup takohen në kryeqytetin austriak për të vlerësuar progresin në Kosovë dhe për të diskutuar çështje të tjera.
Kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se përfaqësuesit e ISG’së do t’i informojë për të arriturat kryesore gjatë muajve të fundit dhe synimet e Qeverisë për të ardhmen.
“Do të flas për zhvillimet në Kosovë, si shtet i pavarur sovran me një shoqëri demokratike dhe shumetnike, për procesin elektoral që e kaluam me një standard shumë të lartë demokratik, me gjithëpërfshirje, për zgjedhjen e kryetarëve të rinj legjitim, për suksesin në procesin e decentralizimit dhe zgjedhjen e liderëve të rinj edhe në katër komunat e reja, për angazhimet tona në FMN dhe Bankën Botërore dhe përpjekjet tona për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”, ka thënë Thaçi.
Kryeministri Thaçi do të flasë edhe për reformat të cilat po i ndërmerr Qeveria në mënyrë që raporti i ardhshëm i progresit i Komisionit Europian të jetë më i avancuar.
Në takimin e Vjenës për herë të parë do të bëhet rishikimi i mandatit të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar Pieter Feith, në përputhje me planin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës të Martti Ahtisaarit.
Me këtë plan kërkohet që jo më vonë se dy vjet pas hyrjes në fuqi të Planit Ahtisaari, Grupi Mbikëqyrës Ndërkombëtar duhet të bëjë shqyrtim të plotë të kompetencave të Shefit të ICO’së, duke synuar zvogëlimin gradual të fushëveprimit të kompetencave dhe shpeshtësisë së intervenimeve të tij.
Sipas burimeve të gazetës, në takimin e ISG’së në Vjenë do të arrihet pajtimi për shkurtim të vogël të kompetencave ekzekutive të Pieter Feithit, dhe nuk do të ketë ndryshime të thella strukturore në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO).
Çdo ndryshim në përgjegjësitë e deritashme të Feithit do të bëhet me rekomandim të tij. Rishikimi i parë i mandatit të tij kryesisht ka të bëjë me ndryshim të rolit në disa fusha si për shembull në të sigurisë dhe ekonomisë. Në disa institucione të reja ku Shefi i ICO’së ka pasur rol të drejtpërdrejt do të marrë rol mbikëqyrës.
Mandati i Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar do të skadojë atëherë kur Grupi Mbikëqyrës të konstatojë se Kosova i ka përmbushur të gjitha provizionet e Planit të Ahtisaarit.
Për zhvillimet në Kosovë do të flasë edhe Pieter Feith. Ditë më parë ai ka deklaruar se tri prioritet më të rëndësishme për Kosovën janë arritja e një Raporti më të mirë Progresi, prani të shtuar të BE’së në Veri, si dhe dyfishim të përpjekjeve për forcimin e sundimit të ligjit.
Në takimin e radhës së Grupit Mbikëqyrës në Vjenë do të diskutohet edhe rreth Strategjisë për vendosjen e ligjshmërisë në pjesën veriore të Kosovës.
Diplomatët ndërkombëtarë pritet t’i japin mbështetje këtij plani të hartuar nga institucionet kosovare dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.