Ndërpritet greva e policëve

Mbrëmë në orët e vonshme është ndërprerë protesta e të gjitha njësive policore të Kosovës, të cilët për tri ditë kishin protestuar në Kishnicë.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani ka konfirmuar për Express ndërprerjen e protestës. “Sot gjithçka është normalizuar dhe të gjithë policët i janë kthyer punës. Është arritur një marrëveshje detajet e së cilës do ti publikojmë gjatë ditës së sotme.
Grevë pa shpresë
Policët e stacionit të Obiliqit, sikurse shumë nga kolegët e tyre të rajonit të Prishtinës, të enjten e bojkotuan punën e tyre në kërkim të plotësimit të kërkesave të tyre.
Derisa veturat zyrtare të policisë në këtë stacionin rrinin të parkuara, disa nga policët e stacionit të Obiliqit në vend të punës së tyre të përditshme në ruajtjen e rendit e të qetësisë, ata formonin toptha bore.
Përkundër bojkotit të punës, asnjë nga këta policë nuk deshi të deklarohej për gazetë, duke u arsyetuar se kërkesat e tyre tashmë i dinë të gjithë.
Ndërsa zëdhënësi i Këshillit të Grevistëve, Arbresh Dalipi, të enjten tha se tashmë në grevë kanë hyrë 14 Njësite të Specializuara të Policisë së Kosovës, të cilët janë mbledhur në Qendrën e Trajnimit të Kishnicës.
Dalipi tha se kjo grevë do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara është mbledhur këtu për të shprehur pakënaqësi. Janë tri pika. Kërkesa jonë e parë është zbatimi i menjëhershëm, në tërësi, i Ligjit për Policinë e Kosovës, si dhe dispozitave të tjera ligjore; rritja e pagave 100 për qind nga paga bazë, si dhe ndryshimi i kontratave të punës nga ato të përkohshme në të përhershme, ku specifikohen në mënyrë të detajuar marrëdhënia e punës dhe niveli i pagës”, tha Dalipi.
Në emër të grevistëve, Dalipi tha se kërkojnë nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht të mblidhet për të diskutuar këto kërkesa të tyre.
“Këshilli i përfaqësuesve të njësive të specializuara është mbledhur këtu për të shprehur pakënaqësi”, thuhet në komunikatën e Këshillit Grevist.
Në rast të mosplotësimit të këtyre kërkesave, Këshilli ka kërcënuar me mundësinë që greva të ndërrojë formë.
Në anën tjetër, zv/kryeministri Hajredin Kuqi, nuk premtoi se këto kërkesave të policëve do të realizohen me arsyetimin se Qeveria e Kosovës ka një buxhet të kufizuar.
“Unë nuk mund të premtoj asgjë tani për tani, por do t’i shqyrtojmë kërkesat e tyre dhe ajo që mund të them, është se do t’i ftoja ta kryejnë punën, aktivitetin e tyre.
Njëkohësisht, Qeveria do të jetë e përkushtuar në zgjidhjen e problemeve në kuadër të mundësive ligjore dhe buxhetore. Unë e përmenda se mundësitë buxhetore do t’i shikojmë, por nuk do të japim premtime pa mbulesë”, tha Kuçi.
Me këtë rast, Kuçi kërkoi mirëkuptim nga policët, duke iu premtuar atyre se Qeveria do të jetë e gatshme në dhënien e përgjigjeve. Megjithatë, Kuçi u kujtoi policëve që në Kosovë ka edhe njerëz që nuk marrin fare rrogë.
“Mos harroni se në Kosovë kemi edhe të papunë dhe unë besoj që jam shumë i bindur se do të bëhet diçka në kuadër të mundësive buxhetore, sepse kjo qeveria rreth 50 për qind i ka rritur pagat deri më tani në Policinë e Kosovës”, theksoi Kuçi.
Ndërsa zyrtarë për informim në Policisë së Kosovës, bënë të ditur se gjatë tërë ditës menaxhmenti i lartë i PK-së ka tentuar t’i bindë policët në ndërprerjen e grevës dhe fillimin normal të punës së tyre.
“Greva e disa prej kolegëve tanë është duke vazhduar. Megjithatë, menaxhmenti bashkë me institucione tjera të vendit po bëjnë përpjeke në zgjidhjen e këtij problemi”, tha Brahim Sadriu, zyrtar për informim në PK.
Edhe policët në Ferizaj në grevë
Dhjetëra policë të Stacionit Policor të Ferizajt kanë filluar protestën e tyre duke u solidarizuar kështu me zyrtarë policorë që filluan protestën në Prishtinë, me kërkesa për rritje të pagave dhe zbatimit të plotë të ligjit për policinë.
Ata kanë formuar një këshill të protestës, ndërsa thanë se do të jenë këmbëngulës të vazhdojnë protestën, deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Do të protestohet derisa të mos rriten pagat dhe derisa nuk zbatohet në tërësi ligji për policinë. Protestën e kanë përkrahur të gjitha njësitet me kapacitet qind për qind”, tha rreshter Naim Rexhaj nga Këshilli Grevist.
Sipas anëtarëve të Këshillit të Protestës, pavarësisht protestës, janë duke funksionuar segmente të tëra policore, njësitet e patrullimeve dhe ekipet për intervenim.
Edhe zyrtarë policorë kanë pranuar se një pjesë e zyrtarëve policorë kanë hyrë në protestë në shenjë solidarizimi me kërkesat e kolegëve të tyre në Prishtinë.
“Është fakt se një pjesë e zyrtarëve policorë kanë hyrë në protestë si shenjë solidarizimi me kolegët që kanë filluar protestë në Prishtinë. Që nga mbrëmë, zyrtarët policorë që kanë përfunduar turnin kanë filluar të protestojnë”, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit Rajonal të Policisë, major Rashit Qalaj.
Sipas tij, stacionet policore në nivel rajoni duke funksionuar. Punët janë duke u kryer, ka patrullime, ndërsa përgjigjja policore është e njëjtë. Shumica e zyrtarëve janë duke kryer detyrat. Zyrtarë të Drejtorisë Rajonale thanë se me protestuesit komunikojnë vazhdimisht, diskutojnë çështjet, pavarësisht faktit se kanë vendosur të shprehin vullnetin e tyre duke protestuar.