E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para rrokullisjes së tretë

Më 12 dhjetor, në Prishtinë, fillon edicioni i tretë i Rolling Film Festival. Sikur në dy edicionet e para, edhe në të tretin - që sivjet zgjat deri më 16 dhjetor - do të shfaqen filma të bërë nga dhe për romët. Të mërkurën organizatorët mbajtën një konferencë, në të cilën njoftuan mbi përmbajtjen dhe risitë e edicionit të sivjetmë.

Në selinë e Odës Ekonomike në Prishtinë, organizatorët e Rolling Film Festival mbajtën një konferencë për media, në të cilën u fol për detajet e edicionit të sivjetmë të tij.

Ndryshe, Rolling Film Festival sivjet shënon trevjetorin e ekzistimit, si ngjarja e vetme kulturore në Kosovë që fokus ka shprehjen artistike të romëve.

Në cilësinë e organizatorëve të Rolling Film Festival, në konferencë morën pjesë drejtori artistik i festivalit, regjisori Sami Mustafa, koordinatorja e projektit Milica Milovic, dhe artisti, Bajram Kinolli - Kafu. Sipas organizatorëve, edicioni i sivjetmë shikuesve në Prishtinë do t’iu ofrojë një vendtakim dinamik e të hareshëm, me shumë filma interesant për t’u parë.

Edicioni i tretë i Rolling Film Festival (që fillon më 12 dhe mbaron më 16 dhjetor) do të mbahet në pesë lokacione të ndryshme të kryeqytetit, ndërkaq pjesë e tij do të jenë 30 filma vendorë e ndërkombëtarë, pastaj, shumë diskutime me regjisorë vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe interpretime të ndryshme muzikore e artistike.

Në mesin e mysafirëve dhe ligjëruesve të edicionit të 3’të të Rolling Film Festival janë edhe: producenti dhe regjisori Bob Entrop, që ka krijuar mbi 220 filma deri tani; kameramani, filmbërësi dhe fotografi dokumentar, Dominik Spritzendorfer; fëmija i gastarbajterit rom nga Salzburgu (Austri), historiani, muzicienti dhe filmbërësi, Djordje Cenic; shkrimtari, kuratori e filozofi, Ivor Stovolsky; artistja Sita Sherer; filmbërësi Denis Mustafa, filmi i shkurtër i të cilit "The Dream Power" fitoi çmimin e publikut në edicionin e dytë të Rolling Film Festival; etj. Pjesë e jurisë së “Filmave të Vegjël” (Cikore Filmja), të krijuar nga të rinjtë kosovarë nga Fushë Kosova, Plemetini, Graçanica, Prilluzha dhe Prizreni – të cilët do të jepen në ditën e katërt të festivalit – janë: Blerta Zeqiri, Valon Imeri dhe Gazmen Salijevic.

Nga ana tjetër, 30 filmat dokumentarë që do të shfaqen sivjet vijnë nga autorë dhe shtete të ndryshme të botës, si “Latcho Drom” i autorit Tony Gatlif (Francë); “According to David” i autorit Dusko Miljanic (Mali i Zi); “To Become Slovenia: Sejdo”, i autorit Sami Mustafa (Slloveni); “Nirgendwo.Kosovo”, i autores Silvana Santamaria (Gjermani/Kosovë); “Just the Wind”, i autorit Bence Fliegauf (Hungari); “Uprooted”, i autores Katalin Bersony (Kosovë/Gjermani); “Revision”, i autorit Philip Scheffner (Gjermani); “Gipsy Music Hurts”, i autorit Bob Entrop (Holandë); “The White Picked Fence”, i autoreve Marla Altschuler eTamarin Kaplan (Kosovë/Afrikë e Jugut), etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›