E Hënë, 2 Nëntor 2026

Para takimit me Trump, Zelensky: Forcimi i sigurisë së Ukrainës afron fundin e luftës

Presidenti Volodymyr Zelensky, në prag të një takimi vendimtar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, për të diskutuar blerjen e raketave amerikane më të fuqishme, përmes një postimi në X, tha se furnizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën do të ndihmojë në shpëtimin e jetëve.

Zelensky tha se çdo vendim që mund të forcojë Ukrainën “e afron fundin e luftës”, duke shtuar se siguria e Ukrainës mund të garantohet nëse zbatohet gjithçka për të cilën kemi rënë dakord, përfshirë këtu në Uashington”.

Zelensky tha gjithashtu se Rusia nisi një “turmë dronësh” në qytetin e tij të lindjes, Kryvyi Rih, gjatë natës deri në mëngjesin e sotëm sipas kohës lokale, duke goditur infrastrukturën civile.

“Kishte dhjetëra dronë të tjerë sulmues në qiellin tonë. U vunë re edhe raketa. Rusia po përpiqet ta lërë këtë pjesë të Evropës një ishull rreziku dhe mundimi për jetën njerëzore. Është thelbësore të mos e lejojmë këtë të ndodhë”, postoi ai në X.

Udhëheqësi ukrainas tha se “gatishmëria e vërtetë e Moskës për paqe ”nuk qëndron te fjalët, por te ndërprerja aktuale e sulmeve dhe vrasjeve”.

Më herët, ai tha se po takohej me përfaqësues të kompanive amerikane të mbrojtjes për të diskutuar “furnizime shtesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore” për Ukrainën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›