Rrugëtimi masiv i veteranëve të UÇK-së drejt Tiranës për protestën

Qindra ish-luftëtarë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë nisur masivisht drejt Tiranës, ku pasditen e sotme do të mbahet protesta me moton “Liria ka emër”, e thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të paraburgosur në Hagë.
Marrshimi ka shfaqur një mobilizim të gjerë, me qytetarë që udhëtojnë drejt kryeqytetit shqiptar me autobusë, motora, dhe duke kaluar kufirin në Morinë edhe në këmbë. Lëvizja shoqërohet me thirrjet e vazhdueshme “UÇK, UÇK” dhe me shpalosjen e flamujve të Shqipërisë dhe simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizimi dhe qëllimi
Protesta organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ajo ka si qëllim të shprehë mbështetjen e pakushtëzuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Njëkohësisht, veteranët synojnë të denoncojnë mbajtjen e tyre prej një kohe të gjatë në paraburgim.
Në Tiranë, grupe të veteranëve kanë bërë ndalesa para memorialit, ku kanë nderuar heroin kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Për shkak të fluksit të madh të protestuesve, Bulevardi i Ri në Tiranë do të bllokohet për qarkullim nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00.
/rtsh.al/