Para të pamerituara për deputetë
Sindikata e shërbyesve civilë të Kosovës ka reaguar të premten nëpërmjet një deklarate për media ndaj vendimit për paratë shtesë që kanë marrë deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Në komunikatën e dërguar nga kryetari i kësaj sindikate, Mursel Zymberi, thuhet se paratë shtesë që i kanë marrë deputetët janë të pamerituara për ta.
“Sindikata e Shërbimit Civil të Republikës së Kosovës është thellë e indinjuar me rastin e marrjes së njoftimit se deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë miratuar pagën e trembëdhjetë për veten e tyre. Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, në fillim të muajit dhjetor 2009, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndajë pagën e trembëdhjetë për shërbyesit civilë dhe se deri më tani nuk kemi marrë as edhe përgjigjen se përse nuk është lejuar paga e trembëdhjetë duke marrë për bazë rrethanat se me cilat paga dhe nën cilat kushte janë duke punuar shërbyesit civilë”, ka thënë Zymberi në reagimin e tij.
Sindikalistët e Shërbimit Civil kërkojnë nga deputetët e Kuvendit që urgjentisht të heqin dorë nga kjo pagë e trembëdhjetë dhe ato mjete ata i kërkojnë për vete. Ata po ashtu u kanë kërkuar deputetëve që sa më parë të merren me miratimin e Ligjit mbi Shërbimin Civil, Ligjin e Punës, Ligjin mbi Qeverinë, Ligjin e Pagave, Ligjin mbi Aktivitetin Sindikal dhe Ligjin Mbi Greva.