E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradokset e organizimit lokal

Me mbylljen e zgjedhjeve direkte lokale (zgjedhjet në bashki dhe në komuna) po vijojnë zgjedhjet indirekte për këshill dhe kryetar qarku. Qarku është një prej tri njësive të qeverisjes vendore (Kushtetuta, neni 109), përbëhet nga disa njësi bazë të qeverisjes vendore me lidhje tradicionale, ekonomike e sociale dhe të interesave të përbashkët, si dhe është njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikën shtetërore. Kushtetuta përcakton gjithashtu se ,organi përfaqësues i qarkut është këshilli i qarkut. Bashkitë dhe komunat delegojnë anëtarë në këshillin e qarkut në përpjesëtim me popullsinë e tyre, por për çdo rast të paktën një anëtar. Kryetarët e komunave dhe të bashkive janë kurdoherë anëtarë të këshillit të qarkut. Anëtarët e tjerë të tij zgjidhen me lista përpjesëtimore ndër këshilltarët bashkiakë ose komunalë nga këshillat përkatës.
Pra qarku është subjekt kushtetues, i zgjedhur indirekt nga bashkitë dhe komunat, me kompetenca dubluese në politikat rajonale. Shqipëria ka 12 qarqe, mbi bazën e tyre janë ngritur 12 prefektura dhe është bërë ndarja zonale për votimet në sistemin proporcional rajonal. Qarku më i madh është Tirana (32 deputetë) dhe më i vogli ai i Kukësit (4 deputetë). Qarqet drejtohen nga një kryetar dhe një këshill me përfaqësues nga çdo njësi vendore. Ato kanë strukturë të plotë administrative, buxhet të veçantë, hierarki dhe monopol në disa fusha vendimmarrëse siç janë çështjet e arsimit, infrastrukturës, mjedisit, urbanistikës, emergjencës civile, etj. Konkretisht qarku i Tiranës ka një administratë prej 100 personash funksionarë, një e treta më shumë sesa p.sh, institucioni i Presidentit, i Gjykatës së Lartë e Kushtetuese dhe 12 institucioneve të tjera qendrore kushtetuese e publike. Numri i punonjësve të qarkut është më pak sesa një e dyta e punonjësve të Bashkisë Tiranë, por më i madh sesa numri i punonjësve të bashkisë Kavajë, Kamëz apo Vorë, bashki që janë pjesë të qarkut Tiranë.
Bazuar në ligjin nr. 8652 date 31.7.2000 “për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” në kompetencat e qarkut janë dhënia e ndihmës financiare për bashki e komuna, jep miratim për aktet e themelimit të biznesit, për tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave, për taksat lokale, për emërim e shkarkim të drejtuesve të institucioneve në varësi, jep tituj nderi, etj. Në këtë mënyrë shihet se qarku si institucion ka një peshë specifike përfaqësimi dhe administrimi. Ai zëvendësoi strukturën e vjetër të Këshillit të Rrethit.
13 vjet pas miratimit të Kushtetutës (1998) dhe praktikës me këtë strukturë administrative kemi krijuar kështu një strukturë piramidale me mbingarkesë dhe mbivendosje në kompetenca, pa një mandat të qartë përfaqësimi. P.sh, në Tiranë ne kemi njësi bashkiake (kryetar, këshill, administratë), kemi bashki qendrore (kryetar, këshill, administratë), kemi qark (kryetar, kryesi, administratë), kemi prefekt (kryetar, administratë), siç kemi drejtim të centralizuar të shërbimeve dhe vendimmarrjes (Ministria e Arsimit emëron e shkarkon mësuesit e drejtorët, Ministria e Shëndetësisë mjekët, Ministria e Mjedisit inspektorët, Ministria e Brendshme policët, Ministria e Punës inspektorët përkatës, Ministria e Ndërtimit policinë ndërtimore, etj. Pra kemi një strukturë super të ngarkuar me mbivendosje dhe pa objekt të qartë fushëveprimi. Dhe të gjitha këto struktura mbahen në këmbë dhe paguhen me taksat qytetare, buxhetin publik, ndërkohë që vetëm 1/5 e tyre (kryetar bashkie, minibashkie e komune) zgjidhen direkt nga qytetarët. Pjesë tjetër (4/5) emërohet ose zgjidhet indirekt, megjithëse kompetencat e tyre janë shumë më të mëdha sesa ata që janë produkt direkt i elektoratit.
Problemi i dytë shqetësues për qarkun është përbërja e tij. Për shkak të konflikteve partiake dhe paqartësisë ligjore, kemi ardhur në situata absurde përfaqësimi. P.sh, aktualisht diferenca e votave midis PD-PS në Tiranë është minimale në favor të socialistëve, por qytetari i Tiranës përfaqësohet në qark me 15 këshilltarë, 14 prej të cilëve janë të djathtë dhe vetëm 1 i majtë (i zgjedhur nga e djathta). Pra nëse votat në Tiranë janë 50-50 ose 51-49, qytetarët e Tiranës përfaqësohen në qark në raportet 98-1 ose 100-0 në favor të palës që ka një mandat në shumë në këshillin bashkiak të Tiranës. Duke ndodhur e njëjta gjë në Kamëz, Kavajë, Vorë dhe njësi të tjera vendore të qarkut, aktualisht ndonëse si qark PD-PS ndodhen në kuota gati të barabarta, përfaqësimi në qark është në raportet 90-10% në favor të PD.
Praktika të tilla disporporcionale janë të zakonshme. Gjatë mandatit 2007-2011 në Këshillin e Qarkut Shkodër nga 65 anëtarë vetëm 6 ishin socialistë (4 për shkak të detyrës si kryetar njësish, dy të zgjedhur) ndërkohë më 2009 në këtë rreth kemi raportet 7-4 në zgjedhjen e deputetëve. Mbi bazën e zgjedhjeve parlamentare Këshilli do të duhej të kishte 42 demokratë dhe 24 socialistë, një diferencë ekstreme me raportet 59-6 që u krijua realisht. Aktualisht në Durrës, PS fitoi kryetarin e bashkisë, por me votat e këshillit 7 anëtarët e zgjedhurit për në qark janë të djathtë, ndërsa më 2007 PS përsëri kishte kryetarin e bashkisë dhe PD 6 këshilltarët në qark. E njëjta gjë ka ndodhur në Kukës, Korçë, Shkodër, Lezhë, Fier, Elbasan, Vlorë, Gjirokastër etj, diku në favor të PD dhe diku të PS, në varësi se cila palë ka një votë më shumë. Më 2007-2011 PD humbi të gjitha bashkitë kryesore (përjashto Shkodrën e Kukësin) por me këtë mekanizëm drejtoi të gjitha qarqet në vend. PS i kishte drejtuar me të njëjtin mekanizëm në vitet 2000-2007. Kështu, produkti i qarkut është jopërfaqësues, nuk pasqyron votën qytetare, nuk merr parasysh asnjë standard demokratik, dhe duke qenë produkt politik e administrativ, përbën një dhuratë të pamerituar për mazhorancat qeverisëse të radhës. Ky realitet absurd ndodh para syve tanë, para opinionit publik, me pjesëmarrjen aktive të partive politike, të deputetëve, të institucioneve kushtetuese e politike dhe askush nuk flet për nevojën e ndryshimit ligjor, kushtetues dhe administriv të tij. “Zgjedhjet” emëruese partiake në qarqe vijojnë. Kemi fjalime, votime e shampanjë, por nuk kemi ende një zë të vetëm lokal që thotë se kjo që ndodh, nuk është normale, nuk është përfaqësuese dhe as në interes publik. Hartuesit e kushtetutës dhe ekspertët e politikës e dinë se institucioni i Qarkut është i tepërt, një zgjidhje e gabuar kushtetuese më 1998, një strukturë politike paralele dhe parazite, por në debatin për reformë zgjedhore, reformë kushtetuese apo reformë politike ende nuk kemi asnjë zë që flet për nevojën e një reforme tërësore edhe në administrimin lokal e territorial. Legjislacioni ynë parashikon rishikim të organizimit territorial çdo 10 vjet, gjë që nuk ka ndodhur dhe nuk ka shenjë se do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ne kemi 20 vjet që “zihemi” kush merr drejtimin e KQZ, ndërkohë që heshtim kur shohim se taksat tona mbajnë në këmbë disa dhjetëra struktura dhe institucione jofunksionale dhe jokoherente me vetë sistemin politik e qeverisës, ekzistenca e të cilave vetëm sa rrit burokracinë, shërben si burim për punësime partiake, krijon hapësirë për kundërvënie e bllokime institucionale dhe njëherësh, e bën gjithnjë e më të parëndësishëm sovranitetin e votës direkte qytetare.
Në një vend me demokraci serioze e funksionale ky do të duhej të ishte një prej preokupimeve kryesore të parlamentit dhe ekzekutivit. Le të jetë kjo një kujtesë për sezonin e “nxehtë” politik të shtatorit, dhe debatet e pritshme politike mbi reformat e munguara, - një provë nëse palët janë të interesuara vetëm për çështje të interesit partiak apo për çështje afatgjata publike, që kapërcejnë mandatet politike dhe raportet parlamentare të radhës.
* Mendimet e shprehura nga autori janë personale.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›