E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës

Augustin Palokaj

-Fakti se disa zyrtarë të lartë perëndimorë, duke përfshirë edhe ata amerikanë, kanë shfaqur shqetësim me  atë që e quajnë “retorikën nacionaliste” të kryeministrit të Shqipërisë të bën të mendosh se ata po e marrin tepër seriozisht këtë “nacionalizëm” të rizbuluar. Problemi në rastin e Berishës qëndron në dy fakte: e para është se retorika e tij po u bën dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi dhe e dyta se ai “nacionalizëm” nuk është i sinqertë. Berisha, sa në pushtet, sa në opozitë,  ndodhet në krye të politikës në Shqipëri tash e më shumë se 20 vjet. Ka pasur mjaft kohë ta realizonte këtë ide po ta kishte të sinqertë dëshirën. Ja një test: Nëse Shqipëria e konsideron heqjen e vizave për shtetasit e saj për të udhëtuar në vendet e BE-së si “arritjen më të madhe në historinë e Shqipërisë që nga kthimi i Skënderbeut në Krujë”, atëherë a do të ishte i gatshëm Berisha ta rrezikonte këtë, duke u dhënë pasaporta qytetarëve të Kosovës? Do të mjaftonte ardhja dhe aplikimi për azil e disa qindra kosovarëve me pasaporta të Shqipërisë në vendet e BE-së që Shqipëria me shpejtësi të madhe të kthehej në listën e zezë të Schengenit. Ajo që është zbulim edhe më paradoksal i kryeministrit Sali Berisha është “albanofobia”. Ja disa fakte: Greqia është shtet aleat i Shqipërisë në NATO. Në Greqi edhe në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike rreth gjysmë milioni shqiptarë fitojnë bukën për familjet e tyre. Njësoj është rasti edhe me Italinë, një tjetër aleat në NATO.  Turqinë jo vetëm se Shqipëria e ka aleat në NATO, por vetë kryeministri Sali Berisha ka thënë se “jemi të një gjaku”. Me Malin e zi, shtet të pavarur, kurrë shqiptarët nuk i kanë pasur raportet më të mira. As për Maqedoninë nuk mund të thuhet se është “albanofobe”, sepse nuk mund të jetë e tillë një qeveri pjesë e së cilës janë vetë shqiptarët. Madje kanë ndryshuar gjërat edhe me Serbinë...Motivet e Berishës mund t’i gjejmë vetëm në frikën nga humbja e pushtetit dhe nga anketat të cilat tregojnë rritje të mbështetjes për Aleancën Kuq e Zi. Cilat do të jenë motivet prapa retorikës së fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ajo nuk i sjell asgjë të mirë as Shqipërisë e as shqiptarëve.  Nacionalizimi shpesh është përdorur si ikje nga realiteti, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët sot kanë probleme shumë më të mëdha me veten e tyre sesa me fqinjët. Nuk kanë faj fqinjët pse në Shqipëri dhe në Kosovë vidhen votat. Nuk kanë faj fqinjët se në Shqipëri dhe Kosovë lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Nuk kanë faj fqinjët për vrasjen e njerëzve në Tiranë më 21 janar, kushdo që të ketë qenë fajtorë. E as që kanë faj fqinjët për çmimin e energjisë në Kosovë. Për “albanofobinë” kurrë nuk ka qenë kohë më e gabuar për të folur sesa që është sot.

Marrë nga Koha.net

Botohet me shkurtime


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›