E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërimet e krimit brenda llojit!

Tragjeditë e ditëve të fundit dhe më të hershme brenda familjes shqiptare nuk përbëjnë më probleme të lokalizuara që gjenden vetëm tek disa njerëz të palogjikshëm dhe të pandjeshëm, që thjesht duhen konstatuar, analizuar dhe konkluduar deri në ndëshkim. Është koha për ta parë ndryshe dhe me sy të rreptë këtë situatë të frikshme, madje nevojitet ndërhyrje urgjente, si mjeku me bisturinë e tij në një operacion delikat, ku pacienti (shoqëria jonë) është në qorrsokakun e pasigurisë për vazhdimësinë e shëndetit të vet. Dita-ditës duken simptomat e një sëmundjeje të fshehur në trupin e shoqërisë shqiptare, e cila rrezikohet nga uragani i krimeve brenda llojit, ku vëllai vret vëllanë, burri vret gruan e tij dhe së fundi babai hedh nga kati i katërt foshnjën e vet.
***
Shumëkush mund të mendojë se këto raste ndodhin kudo, sepse ka psikopatë të lindur ose të bërë sa të duash në të katër cepat e globit. Kjo është pjesë e procesit mizerabël të jetës, ana e errët e shoqërisë njerëzore, por rastet e njëpasnjëshme në Shqipëri, shkaqet skandaloze dhe heshtja paradoksale e ne të gjithëve, të bëjnë ta shikosh ndryshe këtë fenomen që e kemi në pragun e shtëpisë, për të mos thënë brenda vetes sonë. Pothuajse pjesa dërrmuese e psikologëve, sociologëve, studiuesve dhe analistëve merren me shkaqet dhe pasojat, me formën dhe përmbajtjen e këtij krimi makabër që po shumohet si bakteret, por askush nuk e vë “dorën në plagë” për ta shëruar sëmundjen.
***
Mendoj se arsyeja kryesore pse po ndodh ky fenomen në masë është sepse ne jemi futur në jetën moderne pa kaluar fazat normale civilizuese. Shoqëria jonë ka bërë një kalim supersticioz nga mbijetesa në super jetesë dhe nga ëndrrat për super jetesë në mbijetesë, një dëm dualist ky kolosal që e ka kallur popullsinë në krizë të thellë psiko-fizike, duke mos dalë dot nga bataku me forcën e vet. Anashkalimi i një historie të pajetuar dhe të paprovuar po na dëmton seriozisht. Prandaj, familja jonë po shkon drejt një shoqërizimi të sëmurë, ngaqë nuk po shfaqim ndjesi të evoluara, as përkujdesje për ndërgjegjësimin e pjesës së pandjeshme, kështu që krimet vijnë natyrshëm, madje edhe brenda gjakut.
***
Studimet e shumta tregojnë se fajin e kanë prindërit, mësuesit, institucionet edukuese, që nuk kujdesen siç duhet për shoqërinë e sotme dhe të ardhshme. Të tjerë e vënë gishtin e fajit te shteti që nuk e godet krimin me forcën e ligjit. Por askush nuk është tutori i mendimeve dhe veprimeve të të gjithë njerëzve, faktorët e mësipërm janë orientues. Ne e kemi vetë në dorë të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përmirësohemi, duke respektuar ligjet, qoftë të natyrës, qoftë të Zotit. Shumë qytetarë europianë e më gjerë, që sot janë të civilizuar, kanë pasur të tilla probleme, por që tashmë janë pothuajse të sheshuara, sepse janë kapërcyer problemet kulturore e ekonomike me kalimin e kohës. Ndërsa ne nuk e kemi respektuar kohën, nuk kemi as eksperiencë, duke krijuar një efekt bumerangu, nga dëshira për civilizim, jemi kthyer në ligjet e xhunglës, shpesh më keq se kaq.
***
Shoqëria shqiptare vazhdon ta shikojë fenomenin e krimit brenda llojit si një problem të lokalizuar dhe jo të kudondodhur. Hapi madhor për të nisur reduktimin e këtij fenomeni është së pari të kuptohet se bëhet fjalë për një proces të tërë, i cili nuk mund të realizohet në seminare e konferenca të zhvilluara në salla të mbyllura, apo thjesht me projekte shterpë që nuk japin asnjë zgjidhje konkrete. Procesi i rimëkëmbjes është një proces që duhet të ecë paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit social e kulturor, atij juridik e ligjor, atij të luftës ndaj pabarazive ekstreme sociale, krimit të organizuar e ordiner, etj. Ky proces duhet parë si një betejë me të keqen për të frenuar fenomenin e “rrënimit” të familjes shqiptare.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›