E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra në Pukë, Muhamet Zeka komandohet shef i policisë

PUKE - Muhamet Zeka komandohet shef i komisariatit të policisë së Pukës, pas pezullimit të Ridvan Bushatit nga ky post.

Prezantimi u bë nga drejtori i policisë së qarkut Shkodër, i cili bëri të ditur se Zeka do të drejtojë komisariatin e Pukës, deri sa të përfundojë hetimi i ngjarjes së 29 qershorit në fshatin Mardhnac, ku u vranë 2 persona dhe u plagosen 3 të tjerë.

Shefi i policisë së Pukës, Ridvan Bushati dhe oficerët e policisë Lulzim Latifi dhe Qetësor Gurra u pezulluan nga detyra, pas kallëzimit nga Avokati i Popullit, i cili i akuzon për mosndërhyrje në konflikt, gjë që do të shmangte sipas tij ngjarjen e rëndë.

NGJARJA
Pak javë më parë, një konflikt pronësie u shndërrua në tragjedi në fshatin Mardhnac të Pukës. Pjesëtarë të fisit Përmarkaj ekzekutuan në pritë 58-vjeçarin Hil Markaj dhe vëllain e tij 45-vjeçar, Paulin Markaj. Ndërsa mbetën të plagosur rëndë bashkëshortet e tyre Tone dhe Anxha Markaj si dhe nipi i dy viktimave. Pas masakrës, policia arrestoi Fran dhe Bardhok Përmarkaj, të cilët morën masën e arrestit "burg pa afat" nga Gjykata e Shkallës së Parë e Pukës.

Burime pranë grupit hetimor pohuan se blerja e një cope tokë 6 vite më parë nga familja Markaj, vetëm pak metra larg shtëpisë së familjes Përmakaj ishte pikënisja e konfliktit që shënoi dy të vdekur dhe tre të plagosur. Mësohet se bagëtitë e familjes Përmakaj kanë kullotur në tokën që familja Markaj kishte blerë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›