Paralajmërohet njohja e pavarësisë nga Katari dhe Mauritania
Gjatë kohës sa në Stamboll të Turqisë po vazhdon “Panairi i 9-të Ndërkombëtar i Industrisë ushtarake”, Ministri i FSK-së Fehmi Mujota i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së Gjeneral Selimi dhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi z. Bekim Sejdiu, në funksion të prezantimit të Kosovës dhe kërkesës për njohje të pavarësisë së saj, ka takuar një numër të madh ministrash të Mbrojtjes dhe Shefa të Shtabeve të vendeve pjesëmarrëse. Ministri Mujota ka realizuar takime të ndara me Ministrin e Katarit z. Hamad Bin Ali Al-Attiyah, të cilin e ka njoftuar për zhvillimet në Kosovë dhe ka kërkuar nga ai mbështetjen e vendit të tij për njohjen e shtetit të Kosovës. Nga ana e tij z. Al-Attiyah e siguroi z. Mujota, se shteti i Katarit pas njohjes nga Arabia Saudite, po e shqyrton mundësinë e njohjes së shpejtë të Kosovës dhe kjo pritet të ndodh në të ardhmen e afërt. Takim të veçantë Ministri Mujota realizoi edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Mauritanisë z. Mohamed Mohamoud Olud Mohamed Lemine, të cilit i ka shpjeguar situatën në vendin tonë, duke i kërkuar që vendi i tij Mauritania ta ndihmojë Kosovën me njohjen e pavarësisë. Ministri Mauritanez i vlerësoi arritjet në Kosovë, duke e siguruar z. Mujota se njohja e pavarësisë nga shteti i tij do të vije shpejtë, sidomos tashmë pas njohjes nga disa vende arabe.
Po kështu, Ministri Mujota takime të posaçme ka realizuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Tanzanisë, ministrin e Mrojtjes së Republikës së Çadit, pastaj me ministrat; e Kenisë, Mongolisë, Koresë Jugore, etj. Në Panairin e Stambollit po marrin pjesë 25 ministra të Mbrojtjes dhe dhjetëra Shefa të Shtabeve nga shumë vende të botës. Ministri Mujota realizon takime me disa ministra të mbrojtjes, pjesëmarrës në Panairin ushtarak ndërkombëtar në Turqi.