E Diel, 1 Nëntor 2026

“Civiltà Cattolica”: Sigmund Frojdi dha kontribut mahnitës, por edhe të diskutueshëm

Revista “Civiltà Cattolica” gjithashtu i kushton një artikull tepër interesant atit të psikologjisë moderne, Sigmund Frojdit, në 70-vjetorin e vdekjes. “Ai vdiq duke qenë i ndërgjegjshëm se pikëpyetjet e tija për rrënjët e veta kulturore, biologjike dhe fetare kishin mbetur të pazgjidhura”. Artikulli në fjalë, pasi nënvizon se kontributi filozofik dhe intelektual i Frojdit mbetet mahnitës, i ndërlikuar por edhe shumë i diskutueshëm, merr në shqyrtim një nga veprat e fundit të shkencëtarit austriak me titull “Mojsiu i fundit dhe besimi në një Zot të vetëm”. Sipas Atë Xhovani Kuçit, i cili është autori i artikullit në fjalë, Frojdi shihte të mishëruara tek figura e Mojsiut të gjitha pikëpyetjet e jetës së tij. “Është një problem që më ka persekutuar gjithë jetën”, do të shprehej ai. Vepra mbeti e papërfunduar jo vetëm për shkak të fillimit të persekutimit nazist kundër hebrejve por edhe pse vetë Frojdi sa herë që vinte dorë në të, vërente se i dilnin probleme të reja që kërkonin përgjigje. Sikur këto probleme të ishin marrë në shqyrtim do të kishin përgënjeshtruar hipotezën se feja është një iluzion që shërben për t’i dhënë siguri njeriut përballë vdekjes dhe përpara së panjohurës. “Monoteizmi i Izraelit – vijon atë Kuçi – nuk e vërteton ktë hipotezë, sepse ky besim fetar nuk “e qetësoi” aspak popullin izraelit, nuk e bëri më të fuqishëm nga popujt e tjerë, e megjithatë, pra, ky besim në një Zot të vetëm, ndryshe nga shumë besime tradicionale fetare të antikitetit, i rezistoi kohës”- përfundon Atë Kuçi.
Universiteti Katolik i Lublinit i jep Kardinalit Bertone titullin doktor “honoris causa”/Dje paradite, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Tarçizio Bertoni inauguroi qëndrimin e tij në Poloni me një takim shumë prestigjioz. Kardinalit Bertone, i cili do të qëndrojë në Poloni deri të dielën, Universiteti Katolik i Lublinit i dha titullin doktor “honoris causa” në të drejtë civile, kanonike dhe administrative. Përpara kësaj ceremonie Kard. Bertone kremtoi edhe Meshën e Shenjtë, gjatë së cilës theksoi rolin e universiteteve katolike në formimin e njeriut të krishterë në një epokë si kjo, e mbytur nga pesimizmi i atyre që i kanë humbur marrëdhëniet me Zotin. Në një situatë si kjo, tha Sekretari i Shtetit kard. Bertone, merr rëndësi të madhe meditimi i Fjalës së Hyjit dhe reflektimi, të cilat pastaj na çojnë tek zbulimi i së vërtetës. Janë këto aspekte të cilat gjatë dymijë vjetëve jetë Kisha i ka dëshmuar vazhdimisht, sikurse tregojnë edhe rrënjët e krishtera të Evropës. Më tej ai vazhdoi duke thënë: “Kisha nuk mbyllet në vetvete, nuk e mban për vete gëzimin e Ungjillit, por merr pjesë aktivisht në dramën njerëzore, për ta shndërruar vuajtjen me anë të forcës së Krishtit, në një ngjarje plot kuptim dhe për t’i dhënë shpresë njerëzimit”.
Revista “Civilta Cattolica”: Italia dhe Evropa e paragjykojnë Papën dhe Selinë e Shenjtë/Evropa, sipas revistës “Civiltà Cattolica” ushqen armiqësi “a priori” kundër doktrinës së Kishës dhe kundër vetë Papës. Ndaj tyre ka paragjykime të papjekura, aq sa duket se kemi të bëjmë me një rast të “psikologjisë të adoleshentëve”. “Kundër tij, - pohon e përjavëshmja e etërve jezuitë duke folur për Benediktin XVI, -ushtrohet vazhdimisht superkritika. Shprehet bezdi dhe mospranim ndaj mësimeve të tij por edhe ndaj vetë personit të tij”. Por një qëndrim i tillë, thuhet në këtë revistë, ekziston edhe në botën katolike, ndonëse me doreza dhe i moderuar. Njeriu që është bërë Papë e që disa gazeta e kanë quajtur “teolog abstrakt” apo “mbrojtës i pozicioneve të prapambetura”, është përkundrazi një person me një mirësi të thellë, me një përshpirtshmëri të jashtëzakonshme, ka kërshëri prej intelektuali për çdo gjë, dhe mbi të gjitha, Benedikti XVI ka një qetësi të shpirtërore të brendshme”. Më tej në artikull thuhet se ky Papë u jep bezdi laikëve, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë rolin dhe magjisterin e Papës Racinger, veçanërisht kur flitet për ato të mira “që nuk janë të diskutueshme”- është fjala këtu për abortin, eutanazinë, pastrinë e të tjera. Por artikulli në fjalë përmend edhe laikë të cilët përkundrazi e vlerësojnë lart rolin e Papës Benedikti XVI, si për shembull filozofi Andre Gluksman apo përfaqësuesi i bashkësisë hebraike të Livornos Guido Guastala. Këta kritikojnë neoiluminizmin laicist të këtyre kohëve, por edhe ata që mendojnë se gjithnjë ka konflikt ndërmjet besimit fetar dhe shkencës. Sidoqoftë ka edhe personalitete të tjera të cilat vërejnë tek papa aktual një person i cili po i kundërvihet shëndërrimit të njeriut në objekt si edhe konsumizmit si qëllim në vetvete.
Papa priti në audiencë Presidentin e Kolombisë Oribe/Dje paradite në Vatikan, Presidenti i Republikës së Kolumbisë, Shkëlqesinë e tij dr. Alvaro Uribe Včlez, është pritur në audiencë nga Shenjtëria e Tij Benedikti XVI e, pas takimit me Papën është takuar me Shkëlqesinë e tij imzot Dominikë Mambertì, Sekretar i Seksionit të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet. Bisedimet e përzemërta mundësuan shkëmbimin e opinioneve mbi tema që kanë të bëjnë me rrethanat aktuale ndërkombëtare e rajonale. Pastaj gjatë takimit, bashkëbiseduesit janë ndalur tek disa aspekte të situatës së Vendit të Amerikës latine, në mënyrë të veçantë mbi luftën e trafikut të narkotikëve e mbi politikat sociale që synojnë përmirësimin e kushteve të jetës të aq shumë personave që ende jetojnë në kushte varfërie, si dhe mbi bashkëpunimin ndërmjet Kishës e Shtetit për konsolidimin e pajtimit kombëtar në Kolumbi. Në përfundim të takimit në Sekretari të Shtetit të Selisë së Shenjtë, Presidenti Uribe zbriti në Bazilikën e Shën Pjetrit ku u ndal në lutje para varrit të Gjon Palit II.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›