E Diel, 1 Nëntor 2026

Popullorët evropianë konfirmojnë: Berisha do t’i fitojë zgjedhjet e 28 qershorit

Kongresi i popullorëve evropianë ka qenë dje dëshmitar i atmosferës elektrizuese që pritet të përjetojë Shqipëria me nisjen e fushatës elektorale nga Kryeministri Berisha. Pas garancive të shefit të ekzekutivit, kryeministra e krerë shtetesh shprehin bindjen se e djathta shqiptare është e sigurtë se do të triumfojë në raundin zgjedhor të 28 qershorit

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha garantoi dje, gjatë fjalës së tij në seancën e Kongresit të Partive Popullore Evropiane, në Varshavë të Polonisë, se Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve në qershor, duke bërë një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve në qershor dhe unë bëj këtu një premtim solemn për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe do ta mbaj këtë premtim, me gjithë përkushtimin tim. Dhe ju ftoj ju, partive të PPE, të dërgoni vëzhgues, sepse shqiptarët kanë nevojë të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të lënë mbrapa grindjet për zgjedhjet”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Berisha tha se e djathta do ti fitojë këto zgjedhje, pasi qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure.
“Jam i vendosur për të pranuar dhe respektuar çdo verdikt të kombit tim, kam kënaqësinë t’ju informoj se ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, sepse shqiptarët janë njerëz të mençur, ata e dinë se të votosh majtas do të thotë të votosh për mure dhe ata nuk do të votojnë për mure, do të votojnë për horizonte, për horizonte që shndërrohen në realitet, horizonte që, me ndihmën tuaj, do të shndërrohen në realitet përsëri”, tha Berisha.
Gjatë këtyre viteve, tha kryeministri, kam udhëtuar shumë në kryeqytetet e vendeve tuaja, kam takuar kryetarët e partive, shteteve dhe qeverive tuaja.
“Në këto udhëtime unë kam mbajtur në shpirt dhe zemër, projektet ëndërr të kombit tim, apo ëndrrën e integrimin euroatlantik dhe evropian. Këtë muaj, unë dhe kombi im, pamë në Strasburg, ëndrrën euroatlantike të bëhej realitet, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Dhe tre dite më parë, bëmë një hap shumë të rëndësishëm në histori, tre ditë më parë Shqipëria aplikoi për statusin e kandidatit në BE, me miratimin e vendeve dhe qeverive tuaja. Kjo ishte e mundshme për shkak të ndihmës, mbështetjes, asistencës tuaj. Katër vite më parë, unë rierdha në pushtet. Kombi im po përballej me disa mure shumë të vështira që qëndronin para tij, mure të cilat pothuajse po i mbyllnin dyert projektit të tij ëndërr, muri i krimit të organizuar, muri i korrupsionit. U zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj me tolerancë zero krimin e organizuar dhe do ta çmontoj atë mur dhe kështu bëra. Muri i dytë ishte korrupsioni, u zotova para qytetarëve të mi se do ta luftoj korrupsionin me zero tolerancë. Shqipëria, që ishte në 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. Ne nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informantët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6 % të vlerës që sjellin. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike. Cilat janë rezultatet? Ne shkurtuam 1 % shpenzimet operative të administratës, kursyem në prokurime 0.5 miliardë euro, duke luftuar korrupsionin në dogana, taksa dhe tatime dhe duke ulur taksat, kemi arritur në tre vjet të kemi 3 miliardë euro më shumë se qeveria e mëparshme. Korrupsioni është një kancer që duhet luftuar çdo ditë dhe ne jemi shumë të vendosur ta luftojmë atë. Por, këto rezultate janë rezultate të një programi të qendrës së djathtë që ne së bashku ndajmë dhe i besojmë, reformave të ndërmarra, të bazuara në këtë program. Unë iu kam premtuar qytetarëve të mi taksa të ulëta. Sot vendi im është vendi me taksat më të ulëta në Evropë, ju lutem, thuajuni investitorëve tuaj të vijnë në vendin tim, përfundimisht ata do të jenë të lumtur. Ata do të gjejnë një taksë të sheshtë 10 %, 15 % kontribut social dhe 1.5 % taksa e biznesit të vogël. Unë do të vazhdoj me revolucionin fiskal. Por cilat janë të ardhurat, mund të më pyesni ju? Ato rriten çdo vit me 22 %, çdo vit unë kam dërguar në qershor një buxhet të dytë shtesë në parlament. Taksat e ulëta shpërblejnë më shumë se sa taksat e larta. Vendi im kishte një rritje 8 %, këtë vit, si pasojë e krizës, ne përsëri po mbahemi në 4 %”, deklaroi Berisha.
“Ne mblidhemi sot, tha kryeministri, në një vit që shënon 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ngjarjes më të madhe në historinë e qytetërimit tonë, në historinë e lirisë së njerëzimit, pas Luftës së Dytë botërore. “Në këtë përvjetor, çdo qytetar i lirë i Evropës i detyrohet kaq shumë dhe nderon sot dy burra të mëdhenj të kombit polak; Papa Gjon Pali i Dytë, i cili shndërroi kishën në një mburojë të vlerave fondamentale në shoqëritë e shtypura dhe Presidentin Leh Valesa, Davidi, i cili në Dansk, në emër të popullit të tij dhe të gjithë popujve të shtypur të Evropës, luftoi dhe mundi goliath”, tha ndër të tjera kryeministri Sali Berisha, para të pranishmëve në Kongresin e Partive Popullore Evropiane.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›