E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paralajmërojnë depërtim në veri përmes protestave masive

Këshilli i Rinisë i Komunës së Mitrovicës në bashkëpunim me organizatat studentore të Universitetit të Prishtinës, si Lëvizja Studentore për Reformë (LSR), Vizioni Studentor (VS), Unioni i Studentëve Pro Evropian (USPE), Organizata për Studim Kritikë dhe Veprim (SKV), Këshilli i Studentëve të UP-së dega në Mitrovicë, si dhe organizata studentore Opinioni i Pavarur i Studentëve (OPS), kanë organizuar të dielën në Mitrovicë konferencë për media me moton "Protesta masive studentore për veriun e Mitrovicës".

Musa Damati, kryetar i Këshillit të Rinisë në Mitrovicë, paralajmëroi një vjeshtë me protesta në Mitrovicë në rast të cenimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

“Këshilli i Rinisë i komunës së Mitrovicës dhe organizatat studentore paralajmërojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet tjera relevante, se në qoftë se gjatë dialogut që do të zhvillohet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë vjen deri tek ndarja e veriut të Mitrovicës, apo vjen deri te dhënia e çfarëdo statusi special për veriun e Mitrovicës, Këshilli i Rinisë i Komunës së Mitrovicës në bashkëpunim me organizatat studentore do të organizojnë protesta masive me të rinjtë e qytetit të Mitrovicës dhe me studentët e UP-së të Prishtinës, të cilat do të mbahen në Mitrovicë, të ngjashme sikur ato të vitit 1981, në të cilat të rinjtë e qytetit të Mitrovicës në bashkëpunim me studentët e universitetit të Prishtinës, do të organizohen bashkërisht dhe do ta tejkalojnë barrikadën përtej lumit Ibër, duke depërtuar në veri të Mitrovicës. Në këtë mënyrë të rinjtë e Mitrovicës dhe organizatat studentore, do ta mbrojnë çdo cep të Republikës së Kosovës, Mitrovicën Jerusalemin e Republikës së Kosovës, dhe tokën e të parëve tanë”, ka thënë Damati.

Irfan Veseli, nga Unioni i Studentëve Pro Evropian (USPE), shprehu përkrahje për mbajtjen e protestave në rast të cenimit të territorit të Kosovës, duke thënë se studentët kanë ditur të bëjnë kthesa historike në çdo vend.

Ndërkaq, Durim Jasharaj, nga Organizata për Studim Kritikë dhe Veprim (SKV), tha se janë shumë kushte, të cilat Serbia duhet t’i plotësojë para çdo negociate me të.

“Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e luftës, duhet t’i dorëzojë në gjykatën ndërkombëtare krejt kriminelët e luftës. Serbia duhet të na kthejë fondin pensional dhe të gjitha gjërat e grabitura, dhe duhet ta ndryshojë kushtetutën, në të cilën shkruan se Kosova është pjesë e territorit të Serbisë. Andaj, kur të gjitha këto t’i ketë bërë Serbia, atëherë mund të themi se është bërë e aftë dhe e denjë për të biseduar ne me të”, theksoi Jasharaj.

Ai potencoi rezolutën e miratuar më 10 maj të këtij viti, e cila kushtëzon çfarëdo dialogu me Serbinë, në rast se nuk kthehen të pagjeturit, andaj kërkoi respektimin e kësaj rezolute.

Flamur Spahiu, përfaqësues i Vizionit Studentor, ka thënë se studentët e UP-së si shtresa më e çmuar e vendit në këtë kohë moderne, nuk do të qëndrojnë duarkryq, por do të jenë gjithmonë përkrahës të iniciativave të tilla kur bëhet fjalë për integritetin territorial të shtetit të Kosovës.

Ngjashëm u shpreh edhe Musa Berisha nga Opinioni i Pavarur Studentor (OPS), ndërsa Nerimane Ferizi përfaqësuese e Këshillit Studentor të UP-së në Mitrovicë, tha se është moment kyç që studentët të ngrisin zërin e tyre dhe të mos pranojnë vendime të dëmshme për vendin. (Kosovapress)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›