Paralajmëron SHBA, Irani planifikon të furnizojë Rusinë me drone luftarake

Irani planifikon të furnizojë Rusinë me qindra dronë luftarakë për t’i përdorur për luftën në Ukrainë, ka thënë një zyrtar amerikan.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se informacioni që SHBA ka siguruar sugjeron se Irani po përgatitet të trajnojë forcat ruse për të përdorur dronët, shkruan BBC.
Zyrtari amerikan tha se është e paqartë nëse Irani i ka dorëzuar ose jo dronët Rusisë.
Autoritete iraniane kanë deklaruar se bashkëpunimi teknologjik me Rusinë i ka fillimet përpara se të fillonte pushtimi rus i Ukrainës, pa konfirmuar ose mohuar pretendimin e SHBA-vë.
“Nuk ka pasur ndonjë zhvillim të veçantë në këtë marrëdhënie kohët e fundit,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kanani Chafi.
Dronët kanë luajtur një rol integral në luftë si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë.
Vetëm javën e kaluar, Ukraina bëri thirrje për donacione të mijëra dronëve për të ndihmuar përpjekjet e saj të luftës.
Të dyja palët po i përdorin ato për të dalluar pozicionet e armikut dhe më pas për të ndihmuar në drejtimin dhe korrigjimin e zjarrit të tyre të artilerisë në një objektiv.
/rtsh.al/