Paralizohet Athina, njerëzit në rrugë kundër qeverisë
Athina është përfshirë sërish dje nga trazirat, ndërsa forcat e policisë kanë ndërhyrë ndaj protestuesve të shumtë që kishin mbushur rrugët për të kundërshtuar masat antikrizë të qeverisë së Papandreut. Disa të rinj të acaruar kanë shkaktuar dëme në njërën prej fasadave të Bankës së Greqisë dhe sakaq kanë ndërhyrë forcat e policisë të pajisura me gaz lotsjellës. Të rinjtë kanë hedhur bomba artizanale të bëra me benzinë, kanë shkatërruar dritaret e dyqaneve dhe u kanë vënë zjarrin koshave me plehra në shumë zona të qytetit. Megjithatë, niveli i dhunës ka qenë shumë më i vogël krahasuar me atë të vitit 2008, kur shumë dyqane dhe biznese u shkatërruan nga protestat që zgjatën për ditë të tëra. Në shesh kanë dalë edhe mjaft majtistë me flamujt anarkistë, të cilët kanë hedhur parulla për të djegur godinën e Parlamentit. Gjatë përleshjeve me turmën e njerëzve janë plagosur 2 policë dhe 16 demonstrues janë dërguar në polici, ku janë ndaluar për disa orë. Por pjesa më e madhe e protestës masive ka qenë kryesisht paqësore. Rreth 23 mijë veta kanë marshuar qetësisht në qendër të Athinës, duke hedhur parulla kundër të gjitha shkurtimeve e vendimeve të qeverisë për të marrë masa, me qëllim uljen e shifrës së lartë të deficitit buxhetor që ka rrezikuar edhe tronditjen e vetë euros, monedhës me të cilën operojnë 16 vende brenda Bashkimi Europian. Ndër masat e qeverisë mund të përmendim rritjen e taksave, ngrirjen e pensioneve dhe rritjen e moshës së daljes në pension e të tjera si këto. Pjesëmarrësit e grevës kanë qenë punëtorë të dy sindikatave më të mëdha në vend, asaj të sektorit publik dhe privat, që në total përbëjnë edhe 5 milionë të forcës punëtore të Greqisë, një numër ky i konsiderueshëm. Por ndërkohë shumë grekë janë të mendimit se pavarësisht protestave të ashpra qeveria do të shkojë përpara me planet e saj të shkurtimit të shpenzimeve, pasi kjo është e vetmja rrugëdalje për të mos e çuar shtetin drejt falimentimit dhe shkatërrimit, megjithatë njerëzit janë të mendimit se paketa e shkurtimeve prek njerëzit e varfër dhe jo ata që e shkaktuan krizën dhe mbi të gjitha që përfituan prej saj dhe kjo në një vend me një shkallë të lartë të shmangies së taksave dhe të korrupsionit. “Masat janë të padrejta, ne nuk mund ta përballojmë jetesën me shkurtimet që po ndërmerr qeevria se kemi fëmijë, kemi familje”, ka deklaruar për median e huaj dje një pensionist 60-vjeçar, që ka qenë pjesë e protestës. Sipas tij, bankat vazhdojnë që të jenë të pasura dhe të mos pësojnë asgjë, ndërkohë që barra e madhe bie te njerëzit. Punonjësit që kanë marrë pjesë në grevë kanë qenë të sektorëve të ndryshëm si të shëndetësisë, transportit publik, shkollave, të cilat të gjitha janë mbyllur dhe për ditën e djeshme kanë pushuar së funksionuari. Edhe muzetë dhe pika arkeologjike janë mbyllur dje për vizitorët, si dhe shumë veprimtari artistike janë shtyrë për disa ditë më pas. Në televizion dhe radio nuk ka pasur lajme, sepse në shesh ishin edhe gazetarët e shtypit të shkruar dhe medias elektronike. Rrugët e Athinës kanë oshtirë nga megafonat dhe njerëzit që u kanë kërkuar të pasurve të paguajnë për atë që po ndodh. Ata i kanë kërkuar qeverisë që të tregojë se ku i ka çuar paratë dhe të mos i therorizonte me masa ekstreme, që në fakt duhet të ndërmerreshin vetëm ndaj të pasurve. Niveli i grevave dhe pjesëmarrja në to do të ndiqet me shumë vëmendje nga opinioni jashtë Greqisë. Politikëbërësit e Bashkimit Europian, agjencitë financiare, ato të sondazheve dhe tregjet financiare i kanë mirëpritur masat e fundit të ndërmarra nga qeveria, por duan që t’i shohin ato të zbatuara sa më shpejt të jetë e mundur. Greva e përgjithshme është zhvilluar, ndërsa në Europë po diskutojnë në lidhje me mënyrën dhe llojin e ndihmës që duhet të marrë Greqia në rast se nuk do të arrijë që t’ia dalë e vetme krizës. Për sa u përket pjesëmarrësve në grevë, numri i tyre ishte pak më i lartë se i atyre që morën pjesë në grevën e 24 shkurtit të kaluar.
#