E Diel, 1 Nëntor 2026

Si të shmangim përgjumjen në punë

Sipas disa sondazheve të fundit, një në tre persona ankohet nga një lodhje e vazhdueshme dhe përgjumje në vendin e punës. Po si mund të dalim nga një situatë e tillë?

Ngjarja që do të rrëfejmë ka ndodhur në fillim të marsit, por rrethanat e saj mund të përsëriten në çdo kohë dhe në çdo vend. Një pakistanez 33-vjeçar, Shehzar Akbar, u bë i famshëm në të gjithë vendin pasi e përplasi taksinë e vet në një pemë. Ai ndodhej në fund të një turni pune që kishte zgjatur plot 14 orë dhe pati një dremitje mbi timon, ndërsa po udhëtonte. Sigurisht që menjëherë pas përplasjes vdiq. Por incidente të tilla tragjike duhet të na shërbejnë si “zile zgjimi” të gjithëve për të qenë të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm për jetët tona dhe të të tjerëve. Sipas një studimi të publikuar këtë muaj në Londër, 36% e europianëve bëjnë një gjumë shumë të keq natën, çka do të thotë që dita për ta është e vështirë dhe e lodhshme. Një person normal ka nevojë për rreth 8 orë gjumë në 24 orë, ndërkohë që sipas raportit, pjesa më e madhe e njerëzve flenë rreth 2 orë më pak, pra rreth 6 orë. Sigurisht që ka momente të jetës kur jemi të detyruar të qëndrojmë pa gjumë, veçanërisht kur kemi provime, apo duhet që të dorëzojmë projekte brenda një limiti kohor të caktuar, por nëse një mënyrë e keqe e të fjeturit dhe mbi të gjitha orët e pakta do të na bëheshin mënyrë jetese, atëherë kjo do të na rrezikonte jetën. Kështu, rastet e personave që po diagnostikohen me simptoma të lodhjes ekstreme gjatë ditës janë gjithnjë e më të shumtë. Këto simptoma përfshijnë lodhjet dhe dhimbjet e muskujve të trupit, turbullirë mendore, rënie të dëshirave për të kryer veprimtari, madje edhe detyrat më të domosdoshme, për shkak të ndjesisë së lodhjes. Letargjia e shkaktuar nga mënyra e jetesës që bëjmë nga ana tjetër mund të shkaktojë ankth, depresion dhe të prekë thellësisht aftësinë e të menduarit dhe të arsyetuarit normalisht. Por ndërsa disa nga këto simptoma janë ato që shoqërojnë sëmundje të vërteta, ka raste kur nuk bëhet fjalë për sëmundje të mirëfillta. Nëse jemi të lodhur gjatë gjithë kohës, kjo mund të ketë shumë shkaqe. Mund të jetë për shkak të një depresioni të lidhur me stresin, ose me probleme të tilla si anemia, diabeti, apo ulja e nivelit të sheqerit në gjak. Zakonisht njerëzit që ankohen nuk kanë një arsye të vetme për ta bërë një gjë të tillë. Shpesh ankesat kanë të bëjnë me stresin, apo me situata të caktuara që ata përjetojnë në jetë.

Në terma të përgjithshme njerëzit mbi të gjitha duhet që të mbajnë një dietë të balancuar, çka ndihmon në funksionimin e rregullt të gjëndrave të ndryshme, veçanërisht atyre që çlirojnë endorfinë. Kjo e fundit u jep njerëzve një stimul të madh energjisë. Më pas duhet kufizuar shumë edhe përdorimi i alkoolit dhe i duhanit. Edhe pesha e trupit duhet që të mbahet në kontroll të vazhdueshëm, sepse ndikimi i saj është sa fizik, aq edhe psikologjik. Dhe shumë i rëndësishëm, madje për t’u renditur në fillim, është edhe të pushuarit, të pushuarit e gjatë, të mirë dhe të shëndetshëm. Një nga zgjidhjet më të mira është edhe kryerja e ushtrimeve fizike. Edhe pse nga shumëkush kjo mund të duket si diçka që nuk jep rezultat. Sipas disa kërkuesve shkencorë, njerëzit që ndërmarrin ushtrime fizike kanë më shumë mundësi që të vënë në punë gjëndrat që prodhojnë hormone energjetike, madje rreth 20% më shumë se personat që nuk kryejnë ushtrime fizike. Në këtë përfundim dalin edhe ata kërkues që nuk bazohen vetëm te mjekësia tradicionale, por e shohin atë të ndërlidhur me mjekësinë alternative. Këta mendojnë se përmes lëvizjes në organizmin e njeriut ndodh një rigjallërim i gjithçkaje. Për këtë sugjerohet një regjim ushtrimesh fizike prej një orë e gjysmë tri herë në javë, që në fakt është regjimi i rekomanduar nga britanikët. Preferenca në këtë rast është joga. Joga, sepse ajo ka të bëjë drejtpërsëdrejti me goditjen e stresit. Ndryshe nga sa mund të thotë mjekësia tradicionale, një nga mënyrat më të mira për të pushuar dhe rifituar energji është edhe meditimi. Njerëzit mund ta marrin fare mirë në dorë situatën e tyre shëndetësore, duke krijuar një balancë dhe harmoni mes trupit, mendjes dhe natyrës që na rrethon, përfshi edhe të gjitha ushqimet e përshtatshme për një ekzistencë të shëndetshme.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›