Parandalimi i Murtajës Afrikane, 886 monitorime në stabilimentet me derra

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) janë të angazhuar çdo ditë të vitit në monitorimin e fermave blegtorale në të gjithë vendin.
Në kuadër të masave parandaluese dhe kontrollit të Murtajës Afrikane të Derrave (MAD), gjatë periudhës janar–qershor 2025, janë kryer 886 monitorime në stabilimente me derra në të gjithë territorin.
Sipas ekspertëve, monitorimet shërbejnë: Për identifikimin në kohë të rasteve të dyshimta, për rritjen e ndërgjegjësimit të mbarështuesve mbi rëndësinë e biosigurisë si dhe për edukimin mbi njohjen e shenjave klinike të kësaj sëmundjeje të rrezikshme.
“Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme të veterinerëve tanë, është bërë e mundur të menaxhohet përhapja e MAD me profesionalizëm dhe të minimizohen dëmet në ferma,” thuhet në njoftimin e AKVMB-së.
AKVMB bën të ditur se vijon të jetë në gatishmëri për të mbështetur fermerët dhe për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe zinxhirit ushqimor në tërësi.

/a.f/