E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalimi i zjarreve gjatë verës, në Shkodër forcohen kapacitetet reaguese, më shumë ndërgjegjësim

Në nisje të sezonit veror, Prefektja e Qarkut Shkodër Holta Duda bën me dije se është hartuar plani i masave për parandalimin e zjarreve. Ky plan parashikon koordinimin mes institucioneve, rritjen e gatishmërisë së strukturave zjarrfikëse, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për shmangien e veprimeve që mund të shkaktojnë vatra zjarri.

“Gjatë gjithë muajit maj emergjencat civile kanë realizuar takime të koordinuara në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes vendore. Është bërë një plan masash duke marrë parasysh edhe le të themi specifikat e secilës prej bashkive”, deklaroi Duda.

Paralelisht me planin e masave, është shtuar vëzhgimi në terren nga rojet mjedisore. Një rol të rëndësishëm luan edhe bashkëpunimi me administratat e zonave të mbrojtura, duke siguruar reagim të shpejtë në rast të shfaqjes së vatrave të zjarrit.

“Janë marrë masat dhe me shtimin e vrojtuesve sezonal. gjithashtu edhe në takimet që ne kemi realizuar në kuadrin e koordinimit institucional me vrojtuesit, me vrojtuesit e zonave të mbrojtura të agjencive rajonale gjithashtu edhe me drejtuesit e zyrave vendore të pyjeve patjetër që janë evidentuar që këto janë pikat kryesore në të cilat ne duhet të fokusohemi në muajt në vazhdim”, shtoi Duda.

Në Shkodër gjatë 2025 vetëm në 3 muajit e verës reparti zjarrëfikës ka përballuar rreth 350 raste zjarri. Institucionet u bëjnë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë muajve të verës dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrohet mjedisi.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›