Paraqitje dinjitoze e Baletit Kombëtar

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka shfaqur të premten mbrëma para mitrovicasve shfaqjen e baletit ‘Dasma’, në kuadër të aktiviteteve që komuna e Mitrovicës ka planifikuar për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Ahmet Brahimaj, drejtor i Trupës së Baletit Kombëtar, u shpreh të jetë i lumtur që sa herë që trupa e tij vjen në Mitrovicë, salla mbushet përplot me shikues.
“Sa herë që na jepet mundësia, nuk do të kursejmë mundin tonë që të vijmë këtu në Mitrovicë, pa kurrfarë kompensimi material dhe qytetarët t’i bëjmë të jenë të kënaqur me vlerat artistike që ne i krijojmë, sepse Mitrovica dhe qytetarët e saj e meritojnë këtë”, ka thënë mes tjerash Brahimaj.
Në anën tjetër, drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Mitrovicë, Artan Osmani, ka dorëzuar mirënjohje për këtë Trupë, ndërsa Hysni Syla, drejtor i Qendrës së Kulturës, ka falënderuar drejtorin e Baletit Kombëtar për shfaqjen në qytetin buzë Ibrit, pa kompensim material. /kosovapress/