E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikime të këqija

Sektori bankar në Kosovë po i vuan pasojat e krizës financiare. Kjo gjë më se miri vërehet në hezitimin e bankave për të dhënë kredi, si pajojë e rritjes se kredive të këqija dhe rënien e depozitave.

Bankat pranojnë se e kanë shtrënguar dorën në dhënien e kredive, megjithatë janë edhe klientët ata që hezitojnë për të marrë kredi. Kjo nga ekspertët dërgon në efektin tjetër të krizës financiare, që është rënia e dërgesave nga jashtë.

Dy bankat më të mëdha në vend, Procredit bank dhe Raiffeisenbank, pranojnë se gjatë këtij viti ka pasur rënie të kërkesës për kredi nga ana e klientëve, qoftë atyre individual apo edhe bizneseve.

“Rënie e remitencave dhe vetë gjendja në tregjet e tjera në përgjithësi ka ndikuar që të paraqitet njëlloj pasigurie e cila ka ndikuar edhe te klientët dhe ka bërë që ata të paraqesin më pak kërkesa për kredi”, thotë Iliriana Tahiraj, menaxhere për marrëdhënie me publikun në bankën “Raiffeisen”.

Sipas saj, fillimin e vitit 2009 është vërejtur një rënie e lehtë e depozitave, ndërsa rritje është shënuar te kreditë e këqija, që ka ndikuar në uljen e profitit.

“Një faktor tjetër, i cili ka ndikuar në uljen e fitimit janë provizionet apo rezervat për kreditë e këqija”, thotë Tahiraj.

Sipas raportit të BQK-së, kreditë e këqija janë në rritje, ku nga 3.7 për qind sa ishin raportuar para tre muajve, tani kanë shkuar në mbi 4 për qind.

Ndërkaq, nga janari deri në shtator vlera e tërësishme e kredive të sektorit bankar ndaj ekonomisë vendore ishte 1.28 miliard euro që paraqet një rritje vjetore prej 13.2 për qind. Por, kjo rritje është 23.8 për qind më e vogël sesa ishte në shtator të vitit 2008 kur rritja ishte raportuar 37 për qind.

Më e drejtpërdrejtë ka qenë banka “ProCredit”, e cila pranon se ka qenë më dorështrënguar në dhënien e kredive. Sipas drejtorit gjeneral, Philip Sigwart, kjo vjen si rezultat i rritjes se kredive të këqija dhe uljes se përfitimit në sektorin bankar. Për këtë, ai fajëson edhe sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Mbetet mjaft e vështirë për t’i mbledhur kreditë e këqija dhe fatkeqësisht nuk ka pasur progres në përmirësimin e sistemit gjyqësor”, thotë Sigwart.

Ndërkaq, sa u përket depozitave, ai thotë se ka pasur rritje të tyre nga publiku gjeneral, prej gati 80 milionë euro, kurse për 60 milionë euro janë zvogëluar depozitat e PTK-së.
“Ka disa efekte indirekte të krizës, sikurse ulja e lehtë e remitencave dhe zvogëlimi i investimeve të huaja”, thotë Sigwart.

Megjithatë, sipas ekspertëve të ekonomisë, ulja e normës se rritjes se kredive të lëshuara nga bankat ketë vit, që është për 23 për qind më e vogël se vitin e kaluar, pasqyron kujdesin e tyre dhe uljen e gatishmërisë për të bartur rrezik, në ketë periudhë kur ekonomia nuk ka performancë të mirë. Alban Hashani, ekspert i ekonomisë në Riinvest, thotë se është shumë shqetësues ngadalësimi i kredive për biznes dhe rritjes se kredive për ekonomitë familjare, kur dihet se efektet ekonomike kryesisht gjenerohen nga bizneset.

“Një situatë e tillë rritë gjasat e ngritjes së nivelit të kredive të këqija. Edhe ndërmarrjet e kanë të vështirë zhvillimin si pasojë e mungesës së kredive dhe përballën me vështirësi për të paguar punëtorët”, tha Hashani. Raporti i BQK-së, tregon se sektori bankar në fund të tremujorit të tretë shënoi një profit neto prej 18.3 milionë euro, që paraqet një rënie prej 37.7 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ekspertët mendojnë se kjo rënie e fitimit varet nga disa faktorë, siç është zvogëlimi i nivelit të dërgesave, kthimit të ulët nga depozitat dhe mungesës se mjeteve të lira në treg.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›